Davide Ancelotti: Ëndërroj ta drejtoj Real Madridin, presidenti Pérez tashmë e di

Davide Ancelotti ka ndarë përshtypjet e tij lidhur me përvojën e re në kombëtaren braziliane, ku punon si zëvendëstrajner i babait të tij, Carlo Ancelotti, si dhe mbi eksperiencën e kaluar te Real Madridi, gjatë një interviste për “Onda Cero”.

Për aventurën e tij të re në Brazil, Davide u shpreh: “Kalimi në Brazil ishte një surprizë. Atje ndjeva menjëherë se lojtarët luftojnë për një objektiv më të madh sesa ai i një klubi. Ka shumë rituale të përfshira, krijohet një atmosferë unike dhe gjithçka zhvillohet në pak kohë. Gjithçka është më e përqendruar. Është një përvojë vërtet tronditëse dhe njëkohësisht e mrekullueshme. Do t’i ndjek me vëmendje lojtarët që luajnë këtu në Spanjë. Duhet të jemi gjithmonë të përditësuar. Dëshira ime është të kthehem te Real Madridi. Nuk është nevoja t’ia them Florentino Pérezit ëndrrën time për të qenë trajner i Realit, kjo është diçka që e dinë të gjithë”.

Kur u pyet se cili lojtar i ka lënë më shumë mbresa gjatë viteve që ka punuar në krah të të atit, ai u përgjigj pa hezitim: “Toni Kroos ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm, unik në llojin e tij. Të punoja me të ishte privilegj i madh. Mbase do të ndjekë karrierën e trajnerit, por nuk e di nëse kjo është në planet e tij. Ai i ngjan shumë Xabi Alonsos, një lojtar që dinte të transmetonte ide, i shkëlqyer dhe shumë i zgjuar. Nuk u përpoqëm ta bindnim të vazhdonte, nga respekti që kemi për të, pasi e kishte marrë tashmë vendimin e tij. Nuk e kuptoj pse një lojtar i kalibrit të tij nuk e ka fituar kurrë ‘Topin e Artë’, jam vërtet i habitur”.

Lidhur me marrëdhënien mes tij dhe babait në drejtimin e skuadrës, Davide shtoi: “Nuk ka barriera mes nesh në komunikim; besimi mes babait dhe djalit e bën gjithçka më të thjeshtë. Kur është e nevojshme, nuk heziton të më thotë të vërtetën edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka inate, por një atmosferë sfide të vazhdueshme. I njoh ‘jo’-të e tij që më nxisin të eci përpara dhe ato që e di që janë përfundimtare. Më ka dhënë shumë mundësi, duke më ndihmuar të rritem dhe të përmirësohem. Mbiemri im më ka hapur sigurisht shumë dyer, por gjithmonë jam përpjekur të fitoj respektin e atyre me të cilët bashkëpunoj, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Gjatë ndeshjeve e thërras baba, por ndonjëherë edhe mister”.

The post Davide Ancelotti: Ëndërroj ta drejtoj Real Madridin, presidenti Pérez tashmë e di appeared first on Telesport.