Botërori për Klube; Borussia Dortmundi mposht meksikanët dhe kalon në çerekfinale

Me një dopietë të Guirassy, Borussia Dortmundi mposhti 2-1 meksikanët e Monterrey, duke siguruar kalimin në çerekfinalet e Kampionatit Botëror për Klube. Në “Mercedes Benz Stadium” të Atlantës, gjermanët e nisën fort dhe në 24 minutat e para kaluan dy herë në avantazh (2-0).

Në pjesën e dytë, Monterrey u përpoq të reagonte dhe arriti ta ngushtonte diferencën në minutën e 48-të me golin e Bertrame, i cili shfrytëzoi një pasiguri në mbrojtjen verdhezi. Meksikanët tentuan deri në fund, të paktën ta barazonin rezultatin, por Borussia Dortmund mbrojti me kujdes avantazhin e saj dhe arriti ta mbyllte takimin me sukses.

Me këtë fitore, Borussia Dortmund siguron kalimin në çerekfinalet e Botërorit për Klube, ku do të përballet me një rival shumë të vështirë, Real Madridin. Përballja me “Los Blancos” do të vendosë se cila prej dy skuadrave do të kalojë në gjysmëfinale dhe do të vazhdojë garën për trofeun prestigjioz.

Trajneri i verdhezinjve, në fund të ndeshjes shprehu kënaqësinë për reagimin e skuadrës dhe efikasitetin e sulmit në pjesën e parë, por paralajmëroi se përballja me Real Madridin do të kërkojë një paraqitje edhe më të kompletuar dhe pa gabime.

The post Botërori për Klube; Borussia Dortmundi mposht meksikanët dhe kalon në çerekfinale appeared first on Telesport.