Juventusi përshëndet Botërorin për Klube me një paraqitje të mirë, por pa gola. Pas turpërimit ndaj Manchester City, bardhezinjtë ngritën kokën, por gjithsesi humbën. Në Miami përfundon 1-0 në favor të Real Madridit, që kalon në çerekfinalet e kompeticionit të ri të FIFA-s, ndërsa bardhezinjtë ndjekin shembullin e Interit dhe kthehen në Itali.
Di Gregorio, me pritje vendimtare, nuk mjaftoi. Ashtu si ndaj Manchester City, edhe pse këtë herë pa nxjerrë pesë topa nga rrjeta, më i miri i bardhezinjve ishte portieri. Vlerësimi 7.5 si notë, gjithashtu edhe për Gonzalo Garcia, “përbindëshi” i “Zonjës së Vjetër”, që konfirmohet si zbulimi kryesor i këtij Botërori.
Fjalët e trajnerëve
“Jemi të kënaqur me rezultatin, paraqitjen dhe kalimin e turit, – tha madrileni Xabi Alonso. – Patëm vështirësi në 15 minutat e para, na duhej të merrnim masat. Iu thashë djemve të qëndronin të bashkuar në qendër dhe të kërkonin hapësira në krahë, ku mund ta dëmtonim Juven”.
Nga ana e tij, Igor Tudor dha sqarime dhe shfaqi dyshime mbi zëvendësimin e Kenan Yildiz, foli edhe mbi zgjedhjen për ta lënë në stol Dusan Vlahovic. “Dhjetë lojtarë më kërkuan zëvendësim, – sqaroi trajneri bardhezi pas ndeshjes. – Kenan po lodhej dhe kisha frikë mos dëmtohej. Doja të bëja edhe ndonjë zëvendësim më ofensiv, por lojtarë të tjerë ishin të lodhur dhe kisha frikë mos e mbyllnim me dhjetë vetë. Gjithsesi, i përgëzova djemtë”.
Para mikrofonëve doli edhe Damien Comolli, drejtori i përgjithshëm i Juventusit: “Ka shumë zhgënjim për këtë humbje, por edhe ndërgjegjësim se sa shumë do të mësojmë nga kjo aventurë. Dhe se sa e fortë është kjo skuadër”.
The post Juve përshëndet Botërorin e Klubeve, Vlahovic ngroh stolin. Tudor: Kisha frikë nga problemet appeared first on Telesport.