Justin Bieber shfaqet vetëm në Hollywood, ndërsa postimet me Hailey-n tregojnë se çifti po përpiqet të ruajë lidhjen

Justin Bieber u pa duke dalë i vetëm nga një spa në West Hollywood, ndërsa fansat dhe mediet vijojnë të spekulojnë për statusin e marrëdhënies së tij me bashkëshorten Hailey Bieber.

Veshur me stilin e tij të zakonshëm sportiv, këngëtari 31-vjeçar u duk i qetë por i përhumbur, në një dalje që vjen vetëm pak ditë pasi publikoi fotografi me Hailey-n dhe djalin e tyre 10-muajsh, Jack Blues.

Fotografitë familjare, të publikuara në llogarinë e tij të riemëruar në Instagram, @lilbieber, tregonin çastet e qeta që familja po kalonte pranë një liqeni, ndërsa Hailey mbante në krah foshnjën dhe të dy bashkëshortët shijonin ambientet e natyrës, shkruan DailyMail.

Pavarësisht kësaj paraqitjeje të bashkuar në rrjet, burime pranë çiftit thonë se marrëdhënia po përballet me sfida të mëdha, veçanërisht për shkak të gjendjes emocionale të Justin-it.

Bieber ka tërhequr vëmendje me postime të çuditshme dhe ndonjëherë konfuze në rrjetet sociale, përfshirë edhe një koment për Ditën e Nënës që shkaktoi kritika.

Megjithatë, një burim për Us Weekly sqaroi se Hailey po i jep hapësirë bashkëshortit të saj dhe se ndarja nuk është në planet e tyre. “Ata besojnë se janë shpirtra binjakë dhe do të bëjnë gjithçka që kjo të funksionojë”, u shpreh burimi.

Të dy janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj familjes që kanë krijuar, ndërsa vazhdojnë të përballen me presionet që vijnë nga fama, industria e muzikës dhe prania konstante në sytë e publikut.