Çalhanoğlu, ‘dhëmbë për dhëmbë” me Lautaro dhe Marotta. Respekti nuk duhet të jetë njëanshëm…

Hakan Çalhanoğlu foli pas shumë ditësh heshtjeje dhe zërash që krijuan shumë dyshime mbi të ardhmen e tij. Mesfushori i Interit publikoi një postim në Instagram dhe sqaroi situatën e tij: “Pas dëmtimit në finalen e Champions League, vendosëm që megjithatë të shkoja me ekipin në SHBA.

Të isha atje, edhe pa mundur të luaja, ishte shumë e rëndësishme për mua. Doja të qëndroja pranë grupit dhe të jepja mbështetjen time. Fatkeqësisht, gjatë një stërvitjeje në SHBA, pësova një tjetër dëmtim në një zonë tjetër. Diagnoza ishte e qartë; çarje muskulore. Për këtë nuk kam mundur të luaj në këtë kompeticion. Nuk ka asgjë tjetër. Asnjë prapaskenë”.

Turku vazhdoi: “Dje humbëm, më dhemb shumë. E përjetova me trishtim, jo vetëm si futbollist, por si person që ka shumë lidhje me këtë skuadër. Pavarësisht dëmtimit, menjëherë pas fundit të ndeshjes telefonova disa shokë skuadre për t’u dhënë mbështetje. Sepse kur të intereson, kjo është ajo që bën. Por ajo që më goditi më shumë ishin fjalët që erdhën më pas.

Fjalë të ashpra. Fjalë që ndajnë, jo që bashkojnë. Gjatë gjithë karrierës sime, kurrë nuk kam kërkuar justifikime. Gjithmonë kam marrë përgjegjësitë e mia. Kam luajtur edhe me dhimbje. Dhe në momentet e vështira, gjithmonë kam tentuar të jem pikë referimi. Jo me fjalë, por me vepra”.

Lojtari i lindur më 1994 vazhdoi mbi çështjen e ditës së djeshme: “Respektoj çdo opinion, edhe atë të një shoku skuadre, edhe atë të presidentit. Megjithatë, respekti nuk mund të jetë i njëanshëm. Këtë e kam treguar gjithmonë, brenda dhe jashtë fushës. Dhe besoj se në futboll, ashtu si në jetë, forca e vërtetë qëndron në respektimin reciprok, veçanërisht në momentet më të ndjeshme.

Nuk e kam tradhtuar kurrë këtë fanellë. Nuk kam thënë kurrë që nuk jam i lumtur tek Interi. Në të kaluarën kam marrë oferta, madje shumë të rëndësishme, por kam zgjedhur të qëndroj, sepse di çfarë përfaqëson kjo fanellë për mua. Dhe mendoja se zgjedhjet e mia flisnin vetë. Kam pasur nderin të jem kapiten i kombëtares time.

Atje mësova se udhëheqësi i vërtetë është ai që qëndron pranë shokëve të tij, jo që kërkon fajtorë kur është më e lehtë ta bëjë këtë. E dua këtë sport, e dua këtë klub. I dua këto ngjyra për të cilat kam dhënë gjithçka çdo ditë. E ardhmja? Do ta shohim, por historia do të kujtojë gjithmonë ata që kanë qëndruar në këmbë, jo ata që kanë folur më fort”.

The post Çalhanoğlu, ‘dhëmbë për dhëmbë” me Lautaro dhe Marotta. Respekti nuk duhet të jetë njëanshëm… appeared first on Telesport.