Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për mosakredimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale në Veri.
Konjufca theksoi se mosakreditimi ka ardhur nga dy anëtarët e VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Paskan reaguar i madh e i vogël në qeverinë e Serbisë, për mosregjistrimin e Listës Serbe nga KQZ-ja. Regjistrimin e LS e pamundësoi vota abstenuese e dy përfaqësuesve tanë në KQZ”.
Ai shtoi se për të qenë pjesë e skenës politike në Kosovë Lista Serbe duhet të ndryshojë rrënjësisht qëndrimet ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar.
“Për të qenë pjesë e politikës institucionale në Kosovë Lista Serbe duhet t’i ndryshojë rrënjësisht qëndrimet e saj kundër Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Përfaqësuesit e tyre duhet të mësohen me faktin objektiv që Kosova është shtet i pavarur dhe që ata të cilët jetojnë në të duhet ta avansojnë këtë shtetësi, e jo ta rrënojnë atë. Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan- janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist’”.
Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, ndër të tjera në reagimin e tij tha se populli i Kosovës dëshiron paqe, zhvillim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë, por liderët në Beograd nuk ndajnë të njejtin vizion.
“Përpjekja e tyre është që të hegjemonizojnë çdo serb të Kosovës, dhe kushdo që nuk pajtohet me linjën e Vuçiqit, e denoncojnë si tradhtar. Prandaj trysnia duhet të shkojë mbi qeveritarët serbë e jo mbi shtetin dhe popullin tonë i cili nuk do gjë tjetër përpos që të jetojë në paqe me të tjerët, rehat me veten, dhe ku sundon drejtësia e i hapet rrugë zhvillimit”.