Pas muajsh spekulimesh, drejtuesit e Amazon dhe MGM thuhet se e kanë ngushtuar listën për aktorin e ri që do të luajë James Bond në vetëm tre emra: Jacob Elordi, Tom Holland dhe Harris Dickinson.
Sipas Variety, përzgjedhja fokusohet te aktorë britanikë nën moshën 30-vjeçare, megjithëse Elordi, edhe pse australian, mbetet në garë.
Filmi i ri do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve, i cili e ka quajtur projektin një “nder të madh” dhe një “përgjegjësi të shenjtë”, duke nënvizuar dashurinë që ka për ekskluzivitetin që në fëmijëri, shkruan DailyMail.
Amazon mori kontrollin krijues të ekskluzivitetit pas një marrëveshjeje me producentët e mëparshëm, Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson.
Tashmë, producentët e rinj, Amy Pascal dhe David Heyman, pritet të vendosin për drejtimin e ardhshëm të agjentit legjendar 007.
Ndërkohë, xhirimet mund të zhvendosen nga Londra në Liverpool, për shkak të kufizimeve të ardhshme filmike në kryeqytet. Ekspertët mendojnë se filmi mund të dalë në fund të vitit 2026 ose në 2027.
Fansat presin me padurim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një qasje klasike apo moderne në kapitullin e ri të Bondit.