Guardiola: Mëkat që u eliminuam kështu, duhej të tregoheshim më cinikë

“Është një mëkat”. Me këto fjalë plot hidhërim, Pep Guardiola e nisi konferencën për shtyp disa çaste pas humbjes 4-3 në kohën shtesë ndaj Al-Hilal. Skuadra saudite, e drejtuar nga Simone Inzaghi e eliminoi Manchester City nga Kupa e Botës për Klube. Trajneri i “citizens” vazhdoi: “Në këtë fazë të turneut janë të gjitha ndeshje të vështira. Ne iu dhamë atyre mundësi të krijonin tranzicione, por krijuam shumë edhe vetë. Në përgjithësi bëmë mirë”.

Për ecurinë e ndeshjes, Guardiola u shpreh: “Ndërmorëm shumë aksione, por Bounou bëri pritje të pabesueshme. Nuk ka shumë për të thënë tjetër. Ata u mbrojtën shumë mirë në thellësi, në ndeshje të tilla duhet të jesh cinik”.

Pas tri fitoreve në fazën e grupeve, aventura e City në këtë kompeticion përfundon në 1/8 finale. Al-Hilal do të përballet me Fluminense, që nga ana e vet eliminoi Interin. Një humbje e hidhur 4-3, që megjithatë e ngushëllon Guardiolën për atë që skuadra tregoi gjatë gjithë kompeticionit: “Kam ndjesinë që skuadra po shkon mirë, por tani kthehemi në shtëpi dhe kemi kohë të pushojmë, të qartësojmë mendjen dhe të rikthehemi për sezonin e ardhshëm”.

Më pas përfundoi: “Kam parë shumë gjëra pozitive, që në të kaluarën nuk i kisha vënë re, sidomos në marrëdhënien mes lojtarëve dhe stafit”.

The post Guardiola: Mëkat që u eliminuam kështu, duhej të tregoheshim më cinikë appeared first on Telesport.