Thiago Silva zbulon: Fola me Allegrin para Inter-Fluminense, na dha informacione të mira

Fluminense është në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube, Interi është eliminuar. Në “Bank of America Stadium” të Charlotte, në fund ndodhi ajo që pak kush do ta kishte imagjinuar në prag të ndeshjes.

Në çerekfinale, kundër Al Hilal të Simone Inzaghit, shkon edhe Thiago Silva. Ai është simboli, lideri dhe kapiteni i Fluminense, falë përvojës së tij të madhe, në moshën 40-vjeçare (41 i mbush në shtator), i konfirmuar me një paraqitje të shkëlqyer.

Thiago, që e ka shijuar derbin e Madoninës, pasi ka veshur fanellën e Milanit nga janari 2009 deri në verën 2012, foli për DAZN në fund të ndeshjes. Dhe bëri një zbulim, bisedën që kishte pasur para ndeshjes kundër Interit me Massimiliano Allegrin:

“Është një rezultat shumë i rëndësishëm për ne. E dinim që nuk ishte një ndeshje e lehtë për t’u luajtur. Ata luajtën finalen e Ligës së Kampionëve pak më pak se një muaj më parë. Besoj që sot nuk bëmë një super ndeshje, këtë e dimë, por kundër skuadrave europiane duhet të luajmë kështu, nuk mund të luajmë ndryshe.

Duhet të luftojmë, të mbrohemi të gjithë bashkë, sepse zikaltrit janë shumë të rrezikshëm. Sot mendoj se bëmë një ndeshje të shkëlqyer në mbrojtje. Loja jonë mungoi pak, por ata na e bënë të vështirë. Jemi të lumtur për kualifikimin”.

Veterani brazilian tregon bisedën me Allegrin, para ndeshjes ndaj Interit: “Mendova për këtë gjatë gjithë kohës, mendoja për Milanin. Jam i sigurt që tifozët milanistë sot janë të lumtur, ishin me ne. Kjo fitore është edhe për ta. Fola me Allegrin një javë më parë. Çfarë më tha? Janë gjëra mes nesh”.

Për “Sportmediaset”, Thiago Silva përsëriti idetë e tij: “Jam i lumtur për ndeshjen që bëra dhe për atë që bëmë si skuadër, sepse nuk është e lehtë të luash kundër Interit. E dinim që ishte një ndeshje shumë e vështirë për t’u luajtur. Mendoj se bëmë një ndeshje të mirë në mbrojtje, me topin nuk arritëm të luajmë siç jemi mësuar, sepse zikaltrit bënin presion mirë. Sidomos me atë vapë ishte shumë e vështirë. Jam shumë i lumtur për kualifikimin, tani duhet të pushojmë, sepse për 3-4 ditë do të luajmë sërish”.

Mbi bisedën me Allegrin shtoi: “Këtë javë e telefonova Allegrin, është një mik, ndjehem shumë mirë me të. I kërkova disa informacione për Interin. Ai foli shumë mirë për këtë skuadër, ka shumë respekt për të, ashtu si unë. Ia kalova pak prej këtyre informacioneve skuadrës time. Mendoj që Allegri na dha informacione të mira”.

The post Thiago Silva zbulon: Fola me Allegrin para Inter-Fluminense, na dha informacione të mira appeared first on Telesport.