Cristian Chivu, trajneri i Interit, foli kështu për “Sport Mediaset” pas humbjes 2-0 në 1/8 finale të Kupës së Botës për Klube kundër brazilianëve të Fluminense: “Na mungoi shkëlqimi dhe freskia, qasja nuk ishte e mirë, jo si një skuadër që donte të jepte gjithçka që kishte. Siç thashë edhe në ‘cooling break’, ishim mendjemëdhenj, kërkonim bukurinë kur mund të sulmonim me më shumë thjeshtësi. Sot ishim këta, me këto energji. Provuam ta përmbysnim ndeshjen, por ishim edhe të pafat mes shtyllës dhe rastit të pastër të De Vrij. Pësuam dy gola nga tri goditje në portë”.
Çfarë merrni nga kjo përvojë?
Marr këto tri javë, ku munda të njoh grupin, të punoj me ta duke kuptuar cilësitë dhe defektet. Marr plagët, karakterin, krenarinë e lojtarëve tanë, që gjetën ende forca në fund të një sezoni të vështirë. Marr gjithmonë anën e mbushur të gotës, sepse nëse sheh vetëm anën negative, të dhemb koka. Detyra është të nisim nga këto tri javë dhe të programojmë sezonin e ri, bashkë me objektivat.
Lautaro Martinez foli ashpër për grupin. Një koment?
Ne jemi fitues dhe kemi këtë konkurrueshmëri që na bën të nxjerrim krenarinë dhe karakterin, përpiqemi t’ua transmetojmë të gjithëve. Nëse nuk gaboj, edhe unë thashë që duhet të vazhdojmë të gjithë të lundrojmë në të njëjtin drejtim. Unë ndoshta isha më i butë, ai ndërhyri më ashpër. Kjo ndodh sepse klubi ka dëshirë të shpërblejë një vit jo të lehtë për t’u menaxhuar dhe po përgatit të ardhmen me vendosmëri. Jemi konkurrues, kemi dëshirë të çmendur për të fituar dhe arritur objektivat. Konkurrueshmëria e ekipit doli në pah, dua të marr anën pozitive, pavarësisht vështirësive që patëm. Futëm të rinj dhe të sapoardhur. E shoh gotën gjysmë plot, ndoshta pati ndonjë zhgënjim, por në këtë turne u dha maksimumi. Vështirësitë ishin.
Pra, ke shumë punë për të bërë me grupin…
Të mos fillojmë duke i hedhur benzinë zjarrit. Le të hedhim ujë mbi zjarr. Një staf i ri, në tri javë, po përpiqet të punojë me grupin. Pati shumë zhgënjim pas finales së Champions-it, pastaj është e qartë që mund të bëhej më mirë. Duam gjithmonë të japim maksimumin, por duke nisur me këmbë në tokë dhe me qetësi maksimale. Analizat nuk bëhen kurrë me këto rezultate. Duhet të pyesim pse në 30 minutat e fundit, megjithëse krijuam diçka, nuk arritëm ta gjenim golin.
Çfarë mungoi sot?
Dëshira nuk mjafton, duhet gjithmonë të luftosh për atë që do të arrish. Mund të kishim pasur një qasje më të mirë, ta menaxhonim si duhet bllokun e ulët, por futbolli është kështu. Duhet të marrim atë që ishte e mirë.
A ju kënaqi ndryshimi i modulit?
Luis Henrique dhe Valentin Carboni janë të mirë për ta kaluar kundërshtarin. Janë prova që bëhen, edhe sepse ajo që po bënim në atë moment nuk mjaftonte. Dhe kur nuk mjafton, duhet të provosh diçka tjetër. Megjithatë, patëm disa raste, me një shtyllë, një traversë dhe një rast të pabesueshëm me De Vrij.
The post Interi jashtë Botërorit të Klubeve, flet Chivu: Shohim gotën gjysmë plot, u treguam shumë mendjemëdhenj appeared first on Telesport.