Inzaghi bën mrekullinë dhe shkon në çerekfinale, eliminohet Guardiola në një ndeshjeje epike (video)

Al Hilal i Simone Inzaghit është në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube. Skuadra saudite kalon mes tetë më të mirave të kompeticionit në fund të një ndeshjeje të pabesueshme kundër Manchester City të Pep Guardiolës, të mposhtur 4-3 pas kohës shtesë.

Një ndeshje e çmendur, me përmbysje të shumta, rikthime dhe emocione, e vendosur nga goli i Marcos Leonardos në minutën e 114-të. Al Hilal do të përballet në çerekfinale me Fluminense, që eliminoi Interin me fitoren 2-0 në Charlotte, me golat e Cano dhe Hercules.

Fillimi i ndeshjes ishte një monolog i Manchester City, që e zhbllokoi rezultatin menjëherë. Në minutën e 10-të, aksion i Ait-Nouri, i shërbyer nga Reijnders, dhe një kros i rrezikshëm, që mbrojtja e Al Hilal përpiqet ta largojë.

Topi përplaset te Gundogan dhe përfundon te këmbët e Bernardo Silvës, që realizon lehtësisht nga afër. Protesta të forta nga skuadra saudite për një prekje të mundshme me dorë nga mesfushori gjermano-turk, por për arbitrin gjithçka është e rregullt.

Bounou shpëton Al Hilal, që përpiqet të ngrejë ritmin dhe të dalë më përpara, por pa arritur të krijojë aksione veçanërisht të rrezikshme. Skuadra saudite konkretizon me rastin e parë në pjesën e dytë, kur gjen golin e barazimit 1-1.

Me topin e parë të pjesës së dytë, Malcom shkakton panik në mbrojtjen e City, ndërsa Marcos Leonardo është i shpejtë për të devijuar me kokë një top të humbur në zonën kundërshtare. Al Hilal madje arrin përmbysjen në minutën e 52-të.

Në një goditje këndi për City, skuadra e Inzaghit arrin të përmbysë menjëherë aksionin me një top të gjatë për Malcom, që shfrytëzon hapësirat e lëna nga mbrojtja kundërshtare dhe, pas një vrapimi prej gati 50 metrash, mposht Ederson me një goditje diagonale.

City nuk dorëzohet dhe barazon menjëherë rezultatin. Goditje këndi e Bernardo Silvës, Haaland përfiton nga një devijim dhe me të majtën realizon për 2-2. Rezultati mbetet i pandryshuar pas kohës së rregullt, ndeshja shkon në shtesë.

Në minutën e 94-t, Al Hilal kalon sërish në avantazh. Goditje këndi perfekte nga Ruben Neves dhe goditje me kokë e Koulibaly, që i paraprin ndërhyrjes së Aké dhe shënon për 3-2. Zëvendësimet e City sjellin fryte dhe skuadra barazon në minutën e 104-t. Krosim i mrekullueshëm me të majtën nga Cherki dhe goditje fluturimthi e Foden, që e dërgon topin pas shpinës së Bounou.

Në minutën e 114-t, Al Hilal kalon përfundimisht përpara me Marcos Leonardo, i cili kompleton dopietën e tij. Sulmuesi brazilian merr një asist perfekt nga Milinkovic-Savic dhe shënon në dy kohë, nga afër, golin e 4-3.

The post Inzaghi bën mrekullinë dhe shkon në çerekfinale, eliminohet Guardiola në një ndeshjeje epike (video) appeared first on Telesport.