Deputeti gjerman, Peter Beyer, ka kërkuar që në veri të Kosovës të çmontohen strukturat paralele. “Zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë ato struktura”, ka thënë Beyer gjatë një fjalimi në Bundstag.
“Kosova dhe rajoni duhet të kthehet përsëri në fokusin politik të angazhimit tonë atje”, ka thënë ai duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit .
Deputeti gjerman Peter Beyer ka lavdëruar punën e ushtarëve gjermanë të cilët, siç tha ai, tash e një çerek shekulli kanë një angazhim të admirueshëm në Kosovë.
“Ushtarët gjermanë, po bëjnë një punë të shkëlqyeshme për sigurinë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, në zemër të Evropës. Qëndrimi dhe angazhimi i tyre në Kosovë është i nevojshëm edhe më tej dhe është një angazhim, që edhe në të ardhmen do të jetë kuptimplotë, ndërsa Kosova dhe rajoni duhet të kthehet përsëri në fokusin politik të angazhimit tonë atje”.
Beyer ka cituara shefin e NATO-s, Mark Rutte që ka vizituar rajonin në mars. Ai ka cituar deklaratën e Ruttes se “angazhimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor duhet dhe është një detyrë parësore për Aleancën”.
Beyer, tha se KFOR-i duhet të qëndrojë edhe më tej në Kosovë për të ndihmuar stabilitetin atje dhe të krijojë kushtet, që në Kosovë të ketë qetësi paqe të qëndrueshme:
“Të gjithë aktorët politikë dhe etnikë në Kosovë, duhet të merren vesh mes veti. Situata politike, zhvillimet politike në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë kanë ende nevojë për përmirësim. Strukturat paralele ekzistuese atje, duhet të shpërbëhen plotësisht. Në veri duhet të organizohen zgjedhjet dhe ato të mbahen në kushte sigurie, për çka KFOR-i jep një kontribut të madh”, ka theksuar Beyer.
Deputeti gjerman Peter Beyer ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së:
“Gjithashtu duhet të zbatohen të gjitha obligimet, që dalin nga marrëveshjet e arritura. Duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe për këtë duhet siguri, të cilën mund ta ofrojë KFOR-i. Prishtina duhet të ofrojë mbrojtje për minoritet, por ajo duhet edhe të ndihmohet në luftimin e strukturave dhe bandave kriminale që veprojnë atje. Në veri, së fundmi është zbuluar edhe një arsenal i madh armësh, që është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë ato struktura”, ka theksuar Beyer.
Fjalimi i Deputetit gjerman Peter Beyer është përshëndetur edhe nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti.
The post Beyer: Strukturat paralele serbe në veri të Kosovës duhet të shpërbëhen appeared first on Kosovapost.net.