Fluminense është kundërshtari i Interit në 1/8 finale të Botërorit për Klube. Brazilanët, të dytët në grupin F pas Borussia Dortmund, mbërrijnë në fazën me eliminim direkt pas tri ndeshjesh, ku kanë alternuar paraqitje të shkëlqyera, si ajo kundër gjermanëve verdhezinj, me të tjera më pak bindëse, si fitorja me përmbysje kundër Ulsan HD dhe 0-0 ndaj Mamelodi Sundowns të Afrikës së Jugut.
Renato Gaucho, ish-lojtar i Romës dhe prej vitesh trajner i adhuruar në futbollin brazilian, drejton një grup me përvojë dhe talent, që zikaltërit nuk duhet ta nënvlerësojnë aspak.
SI LUAN, MODULI DHE PIKAT E FORTA TË FLUMINENSE
Të gjashtët në “Brasileirao”, por vetëm 4 pikë larg kryesueses Flamengo, të eliminuar në çerekfinale të “Libertadores” nga Atletico Mineiro finaliste, sezoni deri tani i Fluminense është pasqyrë e një skuadre që nuk arrin të gjejë vazhdimësi. Debutimi në Botërorin për Klube, i dominuar, ndaj Borussia Dortmund, edhe pse u mbyll 0-0, dukej se do t’i çonte “tricolor” drejt fitimit të grupit.
Më pas erdhi fitorja e vuajtur, me përmbysje, kundër Ulsan HD, ndaj të cilës brazilianët ishin në disavantazh 25 minuta nga fundi, dhe barazimi i mundimshëm 0-0 ndaj Mamelodi Sundowns, që ndryshoi gjykimet dhe renditjen e grupit.
Lajmi i mirë për brazilianët është se kualifikimi gjithsesi u arrit dhe, për më tepër, seria e ndeshjeve pa humbje e skuadrës në fjalë, në të gjitha kompeticionet, ka shkuar në 9 (6 fitore, 3 barazime), duke arritur ta mbajë portën të paprekur në 4 nga 5 sfidat e fundit.
Soliditeti mbrojtës i kësaj skuadre, një nga pikat e forta, mbështetet te përvoja dhe lidershipi i dy lojtarëve: i përjetshmi Thiago Silva, kapiten tashmë 40-vjeçar, dhe Fabio, portieri 44-vjeçar me mbi 507 ndeshje.
Është ish-lojtari i Milanit, gjithsesi, gurë-themeli i “Flusao”. Në ndeshjen e fundit të grupit, Thiago Silva qëndroi jashtë për të mos rrezikuar, pas një shqetësimi muskulor, dhe mbrojtja e brazilianëve e vuajti jashtëzakonisht mungesën e tij. Një 1/8 finale të Botërorit për Klube nuk do të përsëritet më. Thiago Silva, ndaj Interit, do të jetë në fushë.
The post Soliditet, portier 44-vjeçar dhe “postblloku” Thiago Silva. Ja si luan Fluminense appeared first on Telesport.