Barcola: Që në fillim imponuam ritmin tonë. Doja të shënoja, por jam i kënaqur

Dukej se mund të ishte një përballje interesante dhe e hapur për çdo rezultat ajo mes PSG-së dhe Inter Miami të Leo Messit. Sidoqoftë, fusha tregoi një tjetër histori, pasi francezët e shkatërruan skuadrën amerikane me 4-0 e pastër.

Pjesë e formacionit titullar të zgjedhur nga Luis Enrique ishte sulmuesi Bradley Barcola, i cili pas ndeshjes foli kështu për DAZN: “Gjithçka shkoi mirë, e nisëm mirë ndeshjen. Arritëm të shënonim menjëherë dhe të impononim ritmin tonë”.

Autori i 21 golave në 43 ndeshje sezonale, në sfidën ndaj Inter Miami nuk arriti të shënonte. Emri i tij mungoi në goleadën e parizienëve: “Do të më kishte pëlqyer të shënoja, por në përgjithësi jam i kënaqur. Arrita të rigjeja ritmin. Kishte shumë kohë që nuk luaja një ndeshje të plotë”.

Angazhimet e shumta të njëpasnjëshme sigurisht që nuk ndihmojnë në rikuperimin fizik. Megjithatë, skuadra pariziene nuk e ndjeu këtë, siç pranon në fund të intervistës: “Ishim disi të lodhur, por arritëm të pushonim pak. Në fushë patë që ishim shumë të freskët”.

The post Barcola: Që në fillim imponuam ritmin tonë. Doja të shënoja, por jam i kënaqur appeared first on Telesport.