Inter, kujdes nga Fluminense! Ekip “i plakur”, por i pathyeshëm ndaj italianëve

Me një moshë mesatare prej 29 vitesh e 7 muajsh (në Brazil, skuadra më e vjetër se kaq është vetëm Fortaleza), Fluminense do të sfidojë Interin në 1/8 finale të Botërorit për Klube. Kjo është ndër skuadrat e mëdha të futbollit brazilian, por më “e moshuara” për momentin. Një paradoks për ata që e kanë dashur Fluminense gjithmonë si klub i njohur për akademinë e tij, por sot i vetmi produkt i fundit është Matheus Martinelli.

Trajneri Renato Gaúcho nuk ngurron të theksojë se përvoja është një faktor thelbësor për ekuilibrat aktualë të skuadrës. Mosha e portierit Fabio (44 vjeç) dhe prania e Thiago Silva (40 vjeç), organizatori i mbrojtjes, janë më shumë vlerë e shtuar sesa një kufizim për një skuadër pragmatike, të organizuar mirë dhe me dendësi në mesfushë, që ndoshta ka disa limite në finalizim.

Dhe mes faktorëve teknikë, atletikë e psikologjikë del në pah një element historik në favor të “carioca”; që e bën të paktën kurioze statistikën: në 14 ndeshjet e zhvilluara kundër skuadrave italiane, nga viti 1955 deri më 1989, Fluminense nuk ka humbur asnjëherë.

Përfshihet këtu edhe barazimi 1-1 në “San Siro”, më 14 qershor 1961, me gola të Waldo dhe Bicicli. Një ndeshje që mbahet mend për debutimin në “San Siro” të Luisito Suárez, i sapo mbërritur nga Barcelona. Ai ishte hapi i parë drejt krijimit të Interit të madh të “magjistarit” Helenio Herrera.

 

The post Inter, kujdes nga Fluminense! Ekip “i plakur”, por i pathyeshëm ndaj italianëve appeared first on Telesport.