Vetëvendosje përmes Avni Deharit ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rendin kushtetues dhe parimet themelore të demokracisë në Kosovë

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka kritikuar ashpër sjelljen politike të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar atë si të specializuar në anarki.

Sipas Miftarajt, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë të aftë dhe as nuk arrijnë të funksionojnë në bazë të rregullave demokratike. Ai ka shkruar se përmes Avni Deharit, Vetëvendosje ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rendin kushtetues dhe parimet themelore të demokracisë në Kosovë.

Në deklaratën e tij, Miftaraj vlerëson se Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë kapur haptazi Kuvendin e Kosovës, ndërsa shteti i Kosovës, sipas tij, po mbahet peng nga egoja e sëmurë dhe interesat personale e klienteliste të Kurtit dhe rrethit të tij të ngushtë.

Ai ka përmendur edhe 39 dështime të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe të Vetëvendosjes në përgjithësi, duke i cilësuar ato si përpjekje për të mbrojtur interesat personale dhe partiake, në dëm të shtetit ligjor dhe interesit publik.