Mes konfirmimeve dhe “lamtumirave”, si ndryshon sulmi i Interit me ardhjen e Bonny?

Mungon vetëm zyrtarizimi për ardhjen e Bonny tek Interi. Një blerje që ndryshon fizionominë e repartit ofensiv zikaltër, mes konfirmimeve të mundshme dhe “lamtumirave”. Interi do të ketë së shpejti një sulmues të ri, teksa është mbyllur marrëveshja për transferimin e Ange-Yoan Bonny nga Parma, për një shumë prej 23 milionë eurosh, plus 3 milionë bonuse.

Në marrëveshje është përfshirë edhe një përqindje mbi shitjen e mundshme të ardhshme. Francezi do të përforcojë repartin e avancuar në dispozicion të Chivu, i cili tashmë mund të llogarisë edhe Pio Espositon, autor i një goli në ndeshjen e tij të parë si titullar me zikaltërit, kundër River Plate.

Po si ndryshon sulmi i Interit pas afrimit të Bonny? Në veçanti duhet vlerësuar situata e Mehdi Taremi, qëndrimi i të cilit në Milano është gjithçka tjetër veçse i sigurt.

A DO TË QËNDROJË PIO ESPOSITO?
Për të “prishur” planet e Interit për sulmin mendoi Pio Esposito, i cili u shfaq me forcë në botën zikaltër, me golin që hapi ndeshjen kundër River Plate, të ndjekur më pas nga goli i Bastonit në shtesë.

Pas debutimit absolut kundër Urawa Red Diamonds, lojtari i lindur më 2005 bëri përshtypje në ndeshjen e tij të parë si titullar me Chivu. Të paktën për momentin është vlerësuar pozitivisht harmonia e tij me kapitenin Lautaro, duke qenë se Thuram mungonte për shkak dëmtimi.

Kështu, ditët e fundit është forcuar hipoteza që Pio Esposito të mbetet pjesë e skuadrës së Interit edhe për sezonin 2025-2026. Një skenar që Chivu do ta pranonte me kënaqësi, duke pasur parasysh besimin e tij ndaj një lojtari që e ka stërvitur që në ekipet e të rinjve.

TAREMI NË DYSHIM
Nëse Pio Esposito ka shanse të mëdha për t’u konfirmuar për sezonin e ri, ndryshe qëndron puna për Taremi, i cili aktualisht është i bllokuar në Iran për shkak të bombardimeve që kanë goditur vendin aziatik dhe për pasojë nuk ka mundur të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube.

Ish-sulmuesi i Portos vjen nga një sezon që ta quash negativ është pak. Vetëm 3 gola të shënuar, 2 prej të cilëve me penallti (i vetmi gol në lojë të hapur ishte ai në derbin e Superkupës, që u humb në fund me përmbysje).

Për iranianin janë interesuar disa klube, mes tyre Besiktas dhe anglezët e Fulham e Nottingham Forest. Interi pret ofertë të kënaqshme që të japë “dritën jeshile” për një largim aspak të dhimbshëm.

HOJLUND APO NJË TREKUARTIST I RI
Rritja e vlerës së Pio Espositos ka ftohur pistën që çonte te Rasmus Hojlund, i lidhur fort me Interin javët e fundit. Dëshira për të investuar te një produkt i akademisë zikaltër mund t’i shtyjë Marotta dhe Ausilio të eksplorojnë skenarë të tjerë.

Mes tyre edhe ai i heqjes dorë nga një sulmues në favor të një roli disi më pak ofensiv, konkretisht trekuartistit. Në këtë rast, referenca është për njërin mes Nico Paz dhe Arda Guler, dy profilet më të konsideruara nga drejtuesit e Interit.

Që të arrihet tek argjentinasi apo turku nuk do të jetë e lehtë. Como (në pritje të vendimit të Real Madridit për klauzolën e blerjes përsëri) është gati të bëjë rezistencë, ndërsa ish-lojtari i Fenerbahçes duket se ka gjetur ambientin e tij ideal me mbërritjen e Xabi Alonso në stolin e “Los Blancos”.

Figura e trekuartistit futet në tundimin taktik të Chivu, i cili ka treguar tashmë dëshirën për ta ndryshuar skemën e skuadrës. Jo rastësisht, kundër Urawa Red Diamonds, Lautaro dhe shokët e tij zbritën në fushë me 3-4-2-1, për t’u rikthyer më pas te 3-5-2 në ndeshjen e fundit. Një përshpejtim në këtë drejtim vetëm do të legjitimonte idenë e ndryshimit të strategjisë në merkato, që mund të shohim në ditët në vijim.

The post Mes konfirmimeve dhe “lamtumirave”, si ndryshon sulmi i Interit me ardhjen e Bonny? appeared first on Telesport.