Deputetët e zgjedhur do të ulen për herë të tridhjetë e nëntë në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë sot nga ora njëmbëdhjetë.
Vazhdimi i radhës vjen pas takimit të djeshëm të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend, i cili takim nuk prodhoi asgjë konkrete sa i përket arritjes së një marrëveshje të mundshme për daljen e vendit nga ngërçi i krijuar politik për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për Albulena Haxhiun kryetare e Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa akuzuan Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se po keqinterpretojnë aktgjykimin e fundit të Kushtetueses mbi konstituimin e Kuvendit, duke këmbëngulur në formimin e komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka thënë se do të ketë shkelje kushtetuese nëse do të shkohet sërish me formatin e deritanishëm të seancës për propozimin dhe hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë.
Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë se mos respektimi i aktvendimit të Kushtetueses mbi daljen e vendit nga kriza politike është hapi i parë i përmbytjes së rendit kushtetues dhe se fajtor për këtë është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i kësaj të fundit tha se PDK-ja dhe LDK-ja e kanë “keq lexuar” aktgjykimin e Kushtetueses dhe nëse nuk votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit me votim të fshehtë ajo do të tërhiqet nga kandidatura.
Kujtojmë, Kushtetuesja ditën e enjte ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
The post Sot vazhdimi i 39 i seancës konstituive – a do të ketë lëvizje nga subjektet politike? appeared first on Kosovapost.net.