Nuk është sekret që gjatë presidencës së Josep Maria Bartomeu, Barcelona kaloi vështirësi të mëdha financiare, aq sa u detyrua t’i thoshte lamtumirë Lionel Messit. E paaftë të paguante pagën e argjentinasit, kriza u thellua edhe më shumë për shkak të pandemisë së Covid-it. Në atë periudhë, klubi negocioi shtyrjen e pagesave të pagave për skuadrën, duke krijuar kështu një “borxh” që u zvarrit për shumë kohë.
Barcelona duhej të paguante edhe shuma të mëdha ndaj disa lojtarëve si Samuel Umtiti, i cili përfitoi plot 20 milionë euro, si dhe ndaj Philippe Coutinho e Lionel Messi. Sipas asaj që ka zbuluar sot gazeta “Sport”, Barcelona më në fund ka përfunduar shlyerjen e këtyre borxheve ndaj lojtarëve. Klubi kishte vendosur t’i shpërndante këto pagesa në tetë këste: dhjetor 2021, 2022, 2023 dhe 2024, dhe qershor 2022, 2023, 2024 dhe 2025. Pagesa e fundit, e parashikuar për më 30 qershor 2025, sapo është konfirmuar nga departamenti financiar i klubit blaugrana.
Në total, Barcelona ka paguar 16 milionë euro për të shlyer detyrimet e prapambetura. Ky borxh përfshinte 20 lojtarë të skuadrës së parë, si dhe trajnerin Ronald Koeman me tre ndihmësit e tij. Lojtarët e përfshirë janë ndër të tjerë: Lionel Messi, Samuel Umtiti, Ousmane Dembélé, Miralem Pjanic, Sergi Roberto, Neto, Dest, Braithëaite, Junior Firpo, Aleñá, Matheus Fernandes, Pedri, Trincao, Ansu Fati, Ronald Araujo dhe Riqui Puig.
The post Barcelona shlyen borxhet e prapambetura karshi mbi 20 lojtarëve, mes tyre edhe… Lionel Messi appeared first on Telesport.