“Yildiz ka të ardhme të madhe përpara, Kolo Muani e meriton të luajë para Vlahovic”

Gjatë një interviste dhënë për numrin e sotëm të “Tuttosport”, David Trezeguet ka folur për disa nga lojtarët e Juventusit, duke filluar nga Yildiz: “Është një djalë vërtet interesant, përpara ka të ardhme të madhe. Duhet vazhduar të punohet me të në mënyrën më të mirë, t’i bëhet e qartë, përtej cilësisë së tij të padiskutueshme, se ku ndodhet dhe cili është roli i tij te Juventusi.

Besoj se po tregon se është një talent premtues, por është në fillimet e karrierës. Duhet lënë i qetë dhe i lirë të argëtohet, të bëjë lojën e tij. Këto janë parakushte themelore për të bërë diferencën te klubi bardhezi”.

Nga Thuram te Kalulu, duke kaluar te Comolli e Kolo… Juventusi po ruan atë ADN franceze që ju, i pari, kontribuat ta përhapnit në arteriet bardhezi. A është ish-lojtari i PSG-së njeriu i duhur për sulmin?
Është e qartë që Kolo Muani e ka rifituar besimin e humbur pas sezonit te PSG. Që nga mbërritja në Torino ka pasur mundësi të tregojë cilësinë e tij. Është një lojtar i rëndësishëm, i denjë për kombëtaren franceze. Po tregon vlerat e tij, më duket se është i lumtur te Juve. Sistemi i lojës i Tudor e nxjerr në pah, në fushë duket rehat. Është një lojtar i rëndësishëm për klubin, i takon atij ta mbajë nivelin lart, duke vazhduar të përmirësohet stërvitje pas stërvitjeje.

Po Vlahovic? Përtej golit ndaj Manchester City, duket si një “mish i huaj” në formacionin e Tudor-it…
Dusan duhet ende të tregojë se e meriton fanellën e Juves. Si mund të dalë nga ky moment? Duke punuar fort, me shpresën që të rifitojë vendin që, tashmë, i takon Kolo Muani-t.

The post “Yildiz ka të ardhme të madhe përpara, Kolo Muani e meriton të luajë para Vlahovic” appeared first on Telesport.