Nga Mitrovica përgjatë rrugës e deri në Graçanicë janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, të cilët në bazë të planit operativ po ushtrojnë detyrat e tyre për të ofruar siguri përgjatë ditës së sotme, në manifestimet që do të mbahen për ditën e ‘Vidovdanit’.
Serbët fillimisht janë mbledhur në Manastirin e Graçanicës, e më pas do të vazhdojnë në manifestimin në Gazemistan, afër Obiliqit, për të kryer rituale fetare, si përkujtim i Betejës së Kosovës.
Rreth manastirit në Graçanicë janë parë edhe policët dhe pjesëtarët e KFOR-it, raporton kp.
Policia ka hartuar dhe aktivizuar një plan operacional gjithëpërfshirës, i cili përfshin masa të shumta për ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe kontrollin kufitar në të gjitha rajonet e vendit.
Në kuadër të këtij plani, janë angazhuar njësi të ndryshme policore që do të jenë të pranishme në terren për të ofruar siguri, për të parandaluar çfarëdo incidenti të mundshëm dhe për të siguruar që manifestimet të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve dhe pjesëmarrësve në këto aktivitete që të shmangin çdo provokim, të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren. Po ashtu, qytetarët janë njoftuar për mundësinë e bllokimeve të përkohshme apo devijimeve të trafikut, dhe u kërkohet mirëkuptim i plotë në këtë drejtim.
The post Policia ofron siguri për ditën e ‘Vidovdanit’, serbët fillojnë të mblidhen në Manastirin e Graçanicës appeared first on Kosovapost.net.