Milani, tentativë e re për Jasharin, ofrohen 30 milionë euro. Ricci, gjithnjë e më pranë

Janë ditë shumë të nxehta për Milanin sa i përket merkatos së hyrjeve, e cila aktualisht është e përqendruar veçanërisht në mesfushë. Igli Tare ka udhëtuar drejt Belgjikës për të biseduar me Club Brugge për Ardon Jasharin, një nga objektivat kryesorë të klubit kuqezi. Sipas mediave lokale është përballur me një “mur” të vërtetë.

50 milionë euro, kjo është shifra nën të cilën flamandët nuk kanë asnjë qëllim të zbresin. Shumë, shumë e lartë. Tepër, të paktën për momentin, për arkat e Milanit, që ka bërë një përpjekje të re duke ofruar 30 milionë euro, pas ofertës prej 27 milionë, plus bonuse, të para disa ditëve. Tani topi është te Brugge, që duhet të japë një përgjigje.

Për një tratativë që e ka të vështirë të marrë hov, ka një tjetër që duket thuajse pranë mbylljes. Në fillim të javës që vjen mund të vijë “tymi i bardhë” për transferimin e Samuele Ricci. Kapiteni i Torinos do të transferohet te Milani për një shifër rreth 25 milionë euro, do të firmosë kontratë deri më 2030 me pagë rreth 2 milionë euro neto në sezon.

Sa i përket Modric, gjithçka tashmë është e përcaktuar, mbetet vetëm të pritet që kroati të përfundojë Kupën e Botës për Klube me Real Madridin, më pas mund të zyrtarizohet. Ndërkohë, gjithçka mbetet e hapur për Granit Xhakën, pavarësisht mohimeve të ashpra nga Bayer Leverkusen.

Pëlqimi i lojtarit është i sigurt, ashtu siç është e sigurt që klubi gjerman ka ndërmend të rezistojë sa më shumë të jetë e mundur. Vlerësimi është 15 milionë euro, edhe për shkak të kontratës që skadon vetëm në 2028, ndërsa Milani për momentin nuk dëshiron të shkojë mbi 10 milionë. Megjithatë, dyert nuk janë të mbyllura plotësisht.

The post Milani, tentativë e re për Jasharin, ofrohen 30 milionë euro. Ricci, gjithnjë e më pranë appeared first on Telesport.