Sërish me ngjyrat kuqezi, Taulant Xhaka zyrtarizohet trajner i skuadrës shqiptare

Pas gjithsej 407 ndeshjeve zyrtare, më 24 maj erdhi fundi. Taulant Xhaka e përfundoi karrierën e tij si futbollist profesionist në moshën 34-vjeçare. Me këtë rast u nderua në ndeshjen e “lamtumirës” si një legjendë e klubit të FC Basel.

Tani është bërë e ditur se ku do ta vazhdojë karrierën “Tauli”. “Mirë se vjen, legjendë!” – thuhet rreth një muaj më vonë te FC Dardania, skuadër që luan në futbollin rajonal të Bazelit. Klubi njoftoi të premten se Taulant Xhaka, nga sezoni i ardhshëm, do të angazhohet në Ligën e 4-t. Megjithatë, jo si lojtar, por si trajner.

FC Dardania Basel është klub i lidhur ngushtë me komunitetin kosovaro-shqiptar, ka shqiponjën dykrenare në stemë dhe është themeluar në vitin 1993 nga refugjatët politikë, punëtorët emigrantë shqiptarë. Me këtë nismë u bë realitet krijimi i një klubi futbolli për komunitetin e tyre. Në sezonin e fundit, FC Dardania e humbi ngjitjen për pak, duke u renditur e treta me vetëm tri pikë më pak se vendi i dytë.

Nga sezoni i ardhshëm, klubi do të prezantojë në ndeshjet e tij, në fushën sportive “Bachgraben”, atraksionin kryesor të ligës, si trajner. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, me 30 ndeshje kuqezi, do të ketë gjithashtu mundësinë të vazhdojë punën për marrjen e licencës së trajnerit. “Një profesionist shembullor, një luftëtar në fushë dhe frymëzim për brezat e rinj”, – shprehet klubi i FC Dardanisë për këtë përforcim në pankinë.

Nuk është hera e parë që klubi në fjalë ka kontakte me familjen “Xhaka”. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka sponsorizuar së fundi 25 topa për ekipet e të rinjve; ndërsa babai, Ragip Xhaka, qëndroi si trajner në pankinë në ndeshjet e fundit të sezonit.

The post Sërish me ngjyrat kuqezi, Taulant Xhaka zyrtarizohet trajner i skuadrës shqiptare appeared first on Telesport.