Maradona Jr i trembet Juventusit në të ardhmen e Osimhen: Nuk dua ta shoh me atë fanellë…

Diego Armando Maradona jr, djali i legjendës argjentinase të futbollit, ka folur gjatë emisionit “Marte Sport Live”, që transmetohet në “Radio Marte”, për të shumëpërfolurin Victor Osimhen dhe më gjerësisht për merkaton e skuadrës së zemrës së tij: “Unë do të kisha preferuar Ndoye në vend të Lang, por Lang është një lojtar që kundër Juventusit ka bërë vërtet mrekulli, i ka shkatërruar.

Pra, është shumë i fortë, por vjen nga një kampionat shumë më i lehtë se Serie A, ndaj ka nevojë për t’u përshtatur. Pastaj mund të dalë si surprizë, këtë shpresoj për Napolin. Gjëja më e bukur kohët e fundit është që lojtarë të rëndësishëm duan të vijnë te Napoli, gjë që tregon se ka ndryshuar dimensioni i klubit.

Osimhen, nuk e di nëse mund ta quaj një rast. Nëse është i tillë, nuk është që sot, por prej një farë kohe. E kam njohur personalisht kur luante te Napoli, kam folur me të dy ose tri herë, dhe nuk arrij të them ndonjë gjë të keqe për të, sepse me mua ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm dhe i ndershëm.

Për mua është një djalë i mirë, por mund të them se ka ardhur momenti të zgjidhet shpejt ky ngërç. Kjo është një situatë që nuk i bën mirë askujt, as klubit, natyrisht as lojtarit. Shpresoj në një zgjidhje të shpejtë. Më mirë të shitet, me kushtin që të mos realizohet mundësia për ta parë me atë fanellë (atë të Juventusit)”.

The post Maradona Jr i trembet Juventusit në të ardhmen e Osimhen: Nuk dua ta shoh me atë fanellë… appeared first on Telesport.