Juventus, përplasje me Weah pas lënies në tribunë. Agjenti sulmon: Mos e trajtoni si kukull

Te Juventusi, situata është e tensionuar me Timothy Weah, protagonist, së bashku me Samuel Mbangula, i përjashtimit të bujshëm nga ndeshja ndaj Manchester City në Kupën e Botës për Klube. Klubi bardhezi, që kishte arritur një marrëveshje me Nottingham Forest për shitjen e të dyve, u përball me refuzimin e prerë nga anësori amerikan, i cili nuk e sheh Premier Leaguen si destinacionin e duhur për ta vazhduar karrierën.

Tensioni shpërtheu pas vendimit të klubit për t’i lënë jashtë listës së të grumbulluarve. Në rrjetet sociale, Weah publikoi një mesazh të koduar, por domethënës, ku fliste për besim dhe qëndrueshmëri në vështirësi.

Pak më herët, edhe Mbangula kishte shprehur në Instagram pakënaqësinë e tij për përjashtimin. Por përplasja e vërtetë erdhi nga fjalët e agjentit të Weah, Badou Sambague: “Është turp. Askush nuk mund ta trajtojë si një kukull. Timo ka edukatë dhe personalitet, do të mbetet i përqendruar”.

Një qëndrim shumë i ashpër, që e vendos Juventusin në vështirësi, pasi klubi synon t’i shesë të dy lojtarët për rreth 25 milionë euro dhe ta reinvestojë një pjesë të shumës për Jadon Sancho, që është drejt largimit nga Manchester United.

Klubi bardhezi shpreson ende ta mbyllë operacionin brenda 30 qershorit, por vullneti i lojtarëve rrezikon të bllokojë gjithçka. Në konferencë për shtyp, trajneri Igor Tudor konfirmoi se përjashtimi lidhet me arsye merkatoje, por shmangu së ushqyeri polemikat. Ndërkohë, sipas asaj që raportohet, për Weah problemi nuk është oferta ekonomike, por destinacioni.

Ish-lojtari i Lille, i blerë më 2023 për rreth 12 milionë euro, dëshiron të qëndrojë te Juventusi, ose të paktën të shqyrtojë alternativa të tjera, përveç Nottingham-it. Orët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse do të gjendet një zgjidhje apo përplasja me klubin është tashmë e pakthyeshme.

The post Juventus, përplasje me Weah pas lënies në tribunë. Agjenti sulmon: Mos e trajtoni si kukull appeared first on Telesport.