Murati: Në 30 seanca opozitarët kanë shkelur Kushtetutën

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati që është ministër në detyrë i Financave, tha se bazuar në aktgjykimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese të gjithë deputetët opozitarë, sipas tij, e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës meqë nuk kanë marrë pjesë në votim.

“Kushtetuesja e ka rikonfirmuar që të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim, nuk mund të vihet në seancë konstituive e të mos votohet. I takon deputetit që të përcaktohet a do të votojë, “për” “kundër”, apo “abstenim”, mirëpo mos votimi fare është shkelje kushtetuese. Ngjashëm që nga data 1 maj, por tashmë 30 seanca me radhë të gjithë deputetët e opozitës kanë shkelur Kushtetutën sipas aktgjykimit të djeshëm, dhe sipas asaj që kemi thënë ne në vazhdimësi duke iu referuar aktgjykimit të vitit 2014 është shkelur kushtetuta nga të gjithë deputetët që nuk kanë marrë pjesë në votim”, tha ai.

Murati,  tha se aktgjykimi tregoi se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me kushtetutën.

“Votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, siç e kemi në vendimin përfundimtar të aktgjykimit . E dyta, të gjitha subjektet që kanë anëtarë në Kryesi duhet të arrijnë konsensus e nuk duhet të bëhen bllokuese ndaj njëra tjetrës”, tha ndër të tjera në deklarimin e tij Murati.

 

The post Murati: Në 30 seanca opozitarët kanë shkelur Kushtetutën appeared first on Kosovapost.net.