Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pasi ditën e sotme Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e tij për të zëvendësuar masën e sigurisë dhe lirimin nga paraburgimi, ku qëndron prej tetorit të vitit të kaluar.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Meta shkruan se nuk është i çuditur nga vendimi i asaj që ai e cilëson si drejtësi me regji nga SPAK, që sipas tij përgjon gjykatat dhe ku akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”.
“Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”. Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.
Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentat e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi. Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live.
Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, shkruan Meta.
The post GJKKO e la në burg, reagon Meta: Asnjë çudi, do e shpartallojmë këtë farsë në Gjykatën e Strasburgut appeared first on Kosovapost.net.