Rodri rrëfen rikuperimin e gjatë: Me rëndësi ishte të qëndroja i përqendruar dhe të mos dorëzohesha

Pas muajsh mungese, Rodri është rikthyer më në fund në fushë. Mesfushori i Manchester City, fitues i “Topit të Artë”, ka thyer heshtjen për kalvarin e gjatë, pas dëmtimit të rëndë në gju, që pësoi në shtator të vitit 2024, dhe e mbajti larg skenës për pjesën më të madhe të sezonit.

Duke folur në një konferencë për shtyp me rastin e Kupës së Botës për Klube, mesfushori spanjoll shprehu gjithë emocionin e tij për këtë rikthim: “Ndjehem shumë mirë, jam i lumtur që ndodhem këtu. Është një turne fantastik për të nisur sërish të luaj futboll, jam vërtet i entuziazmuar që jam përsëri pjesë e skuadrës”.

Rodri tregoi rrugëtimin e rikuperimit, duke theksuar rëndësinë e ekuilibrit mendor gjatë muajve më të vështirë: “Ishte një proces i gjatë, por e dija që kjo ditë do të vinte. Kam preferuar të marr gjithë kohën e nevojshme. Më e rëndësishmja ishte të qëndroja i përqendruar dhe të mos dorëzohesha”.

I vetëdijshëm se kthimi në formën më të mirë do të kërkojë ende kohë, mesfushori përfundoi me besim: “E di që do të më duhen muaj për t’u rikthyer në nivelin tim, por jam vërtet i lumtur që ndodhem sërish këtu”. Një sinjal inkurajues për Guardiolën dhe tifozët e Manchester City.

The post Rodri rrëfen rikuperimin e gjatë: Me rëndësi ishte të qëndroja i përqendruar dhe të mos dorëzohesha appeared first on Telesport.