Pedro Pascal është një nga aktorët më të kërkuar në Hollywood sot, i njohur për rolet e tij në seriale të tilla si “The Mandalorian”, “The Last of Us”, “Narcos” dhe “Game of Thrones”, si dhe në filmin “Gladiator II”. Megjithatë, rruga e tij drejt suksesit nuk ishte e lehtë.
Pascal lindi në Santiago, kryeqytetin e Kilit, nga Veronica Pascal dhe Jose Balmaceda, të cilët ishin studentë në atë kohë. Kur Pedro ishte vetëm nëntë muajsh, familja u detyrua të largohej nga Kili dhe të kërkonte azil politik për shkak të represionit politik të regjimit të gjeneralit Augusto Pinochet. Ata fillimisht gjetën strehim në Danimarkë dhe më pas u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë paraqitjes së tij si prezantues i Saturday Night Live, Pascal kujtoi familjen e tij dhe vendimin e vështirë që morën: “Prindërit e mi ishin të guximshëm. Ata u larguan nga vendi dhe na sollën mua dhe motrën time në Shtetet e Bashkuara. Pa ta, unë nuk do të isha këtu, as nuk do të isha në skenën e SNL sonte.”
Edhe pse u përpoqën të ndërtonin një jetë të re, tragjedia e goditi Paskalin në vitin 2000, kur nëna e tij kreu vetëvrasje. Në atë kohë, Pedro ishte 24 vjeç. Prindërit e tij u kthyen në Kili në vitin 1995, ku rritën fëmijët e tyre më të vegjël. Pas vdekjes së nënës së tij, Pedro u kthye shpejt në Santiago për të marrë pjesë në shërbimin përkujtimor.
Gjithashtu, gjatë periudhës kur pikëllimi ishte më intensiv, Pascal shpresonte të merrte një rol në serialin “Dark Angel”, i cili mund t’i kishte hapur derën një karriere filmike, por ai dështoi në audicion. Në një intervistë me Vanity Fair, ai pranoi: “Mendoni se dështimi në një audicion mund të më thyejë? Nuk mundet, sepse unë isha tashmë i thyer.”
Ai jetonte në Los Angeles në atë kohë, por ndjeu se qyteti nuk i ofronte hapësirë për t’u përballur me pikëllimin e tij, kështu që u kthye në New York, ku më parë kishte studiuar aktrim në Shkollën e Arteve Tisch të NYU-së.
Në shkurt të vitit 2023, në përvjetorin e vdekjes së nënës së tij, Pascal debutoi si prezantues në Saturday Night Live. Pas shfaqjes së suksesshme, ai festoi me miqtë, përfshirë aktoren Sarah Paulson, e cila e përshkroi mbrëmjen si një moment vendimtar në jetën e tij.
“Ishte një natë që nuk donim të mbaronte. Nëse kamera do të ishte drejtuar nga unë, do të kishit parë një burrë, jeta e të cilit sapo kishte filluar. Ai ishte i pranishëm, plot energji, dhe as nuk e kuptonte sa mirë po i shkonte. Duke pasur parasysh përvjetorin e vdekjes së nënës së tij dhe karrierën e tij, u ndje si një rilindje për të”, tha Paulson.
Paskali shtoi se e ndjeu praninë e fortë të nënës së tij atë mbrëmje: “Ndjeva se ajo ishte aty. Nuk di si ta shpjegoj, por ajo natë ndryshoi plotësisht pikëpamjen time për atë përvjetor. Ishte një transformim i plotë i një kujtimi të trishtuar.”