Tudor: Nuk përgatiten ndeshjet për t’i barazuar. Guardiola, trajneri më i mirë në botë

Igor Tudor ka prezantuar ndeshjen Juventus-Manchester City, e vlefshme për Kupën e Botës për Klube, që do të luhet sonte në orën 21:00. Trajneri i bardhezinjve ka folur në konferencë për shtyp.

Çfarë ndeshjeje prisni?
Kemi punuar në të gjitha aspektet për të ardhur sa më mirë në këtë ndeshje. Kemi vlerësuar se kë të aktivizojmë, pasi kemi luajtur dy ndeshje që kanë kërkuar shumë energji. Pra, është e rëndësishme të kuptojmë se kush mund të luajë për gjithë ndeshjen dhe kush mund të hyjë në mënyrën më të mire nga stoli. Është një ndeshje e bukur për t’u luajtur. Për ata që kanë luajtur më shumë këto kanë qenë tri ditë rikuperimi, ndërsa të tjerët kanë shtyrë më fort. Ka shumë dëshirë për të bërë mirë, shoh energji pozitive. Kalimi i grupit ishte objektivi i parë i vogël që arritëm dhe kjo na bën të ndihemi mirë. Ne duam të fitojmë, nuk mund të luhet për të barazuar. Sonte zbresim në fushë për të fituar, ndeshjet nuk përgatiten për të marrë barazim.

Një vlerësim për Manchester City?
Nxehtësia (temperaturat e larta) do të ndikojë për të dyja skuadrat. Ora dhe temperatura nuk janë ideale për të luajtur futboll, Guardiola ka të drejtë kur thotë se nuk do të jetë e mundur të shtyhet deri në maksimum. Ne arrijmë ndryshe në këtë sfidë, krahasuar me Manchester City. Ata kanë bërë shumë rotacione mes një ndeshjeje dhe tjetrës, ne kemi rreshtuar të njëjtin formacion startues. Sonte do të ndryshojmë diçka me siguri, por duam të bëjmë një ndeshje serioze dhe të fitojmë, duke aktivizuar lojtarët që mund të na ndihmojnë t’i arrijmë objektivat.

Kundërshtarët e radhës?
Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e sotme, që do të jetë shumë e bukur për t’u luajtur. I kam parë djemtë të motivuar, me dëshirë, të gjithë duan të luajnë. Kush nuk do të jetë titullar është i zhgënjyer, sepse të gjithë duan të jenë pjesë e këtyre ndeshjeve. Manchester City është një skuadër që dominon prej vitesh, e drejtuar nga trajneri më i mirë në botë. Do të jetë një ndeshje ku do të japim gjithçka. Ne do të tregojmë futbollin tonë, ata të tyrin, do ta shohim rezultatin përfundimtar.

Si është skuadra juaj?
Yildiz po luan shumë mirë. Ka mendësinë e duhur, i pëlqen futbolli, gjithçka tjetër vjen si pasojë. Cilësitë e tij i shohin të gjithë, por çelësi mendoj se është kjo dëshirë e tij për të dhënë gjithmonë maksimumin. Lufton nga minuta e parë tek e fundit, në ndeshje dhe stërvitje, nuk përmbahet kurrë. Është diçka shumë e bukur dhe e rrallë. Kush shënon del në pah, është normale, por shumë po bëjnë mjaft mirë. Thuram për mua ka bërë ndeshje në nivel shumë të lartë, Conceicao, Kolo Muani dhe Alberto kanë zhvilluar të gjithë nga dy ndeshje të shkëlqyera. Savona, në rolin ku e kam vendosur, po bën mirë. Duhet të shtojë pak peshë dhe forcë për të përballuar disa situata, po punojmë për këtë, por përtej kësaj ka shumë gjëra pozitive. Është i përkushtuar, profesionist, ka inteligjencë të madhe taktike, kupton çfarë ndodh në fushë, ka shpejtësi të mirë. Ka shumë cilësi, është një djalë i përulur dhe dëgjon. Janë gjëra që mund të duken të zakonshme, por nuk janë aspak të tilla. Ai ka ato vlera që po humbasin gjithnjë e më shumë dhe janë mjaft të çmuara. Kostiç? Për mua është një surprizë e bukur. Nuk e kisha stërvitur më parë, është një lojtar që mund të përshtatet shumë mirë në futbollin që më pëlqen. Është gjithmonë në dispozicion, profesionist, ka këmbë të fortë dhe teknikë të mirë. Është i përkushtuar dhe e njeh mirë grupin. Më pëlqen.

A e keni fiksuar formacionin startues?
Milik po stërvitet me ne, por është ende herët për ta aktivizuar. Conceicao ka ndier një shqetësim në pulpë, mendoj se sonte mund të jetë në stol dhe, në varësi të gjendjes së tij, do të vendosim nëse do të luajë apo jo. Locatelli, Koopmeiners dhe Gatti? Dikush prej tyre do të jetë titullar.

The post Tudor: Nuk përgatiten ndeshjet për t’i barazuar. Guardiola, trajneri më i mirë në botë appeared first on Telesport.