Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në emër të komunitetit të bizneseve dhe të gjitha shoqatave përfaqësuese, i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes së cilës shpreh shqetësimin serioz për vendimin e qeverisë për kalimin e kompanive kosovare në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thuhet se një vendim i tillë, i zbatuar pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa mekanizma mbrojtës, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe transportit.
“Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lirë pa përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do të përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje të vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zinxhirët furnizues dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në letrën e OEK-ut.
Tutje OEK kërkon nga Qeveria që me urgjencë të shqyrtojë shtyrjen e këtij vendimi, duke e konsideruar si të domosdoshme një qasje më graduale dhe të koordinuar me sektorin privat.
“Ne, përfaqësuesit e bizneseve në Republikën e Kosovës, besojmë fuqishëm se do të ishte shumë e dobishme që Qeveria e Kosovës të merr si model strategjinë e re industriale të Mbretërisë së Bashkuar si një pikë kthese, duke ia dhënë përparësi uljes së kostove të energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi. Si rezultat i problemeve ekonomike globale, një fokus i kësaj strategjie është pikërisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe me kosto efektive të energjisë, sepse një qasje e tillë është thelbësor për të nxitur investimet, për të krijuar vende pune dhe për të rritur kapacitetet konkurruese të ekonomisë sonë”, thuhet tutje në letër.
Sipas OEK-ut, kjo qasje afatgjatë dhe e koordinuar me sektorin privat do t’i japë bizneseve sigurinë e nevojshme për t’u zhvilluar në mënyrë të sigurt nga njëra anë dhe nga ana tjetër, duke mbrojtur njëkohësisht qytetarët nga rritja e çmimeve.
The post OEK letër Kurtit, kërkon shtyrjen e kalimit në tregun e lirë të energjisë appeared first on Kosovapost.net.