Armëpushim në Lindjen e Mesme, MPJD: Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi çdo kërkese nga qytetarët tanë në Izrael

Ditë më parë, Izraeli kishte filluar sulmet ajrore ndaj Iranit në një operacion të quajtur “Zgjimi i Luanit”. Në qendër të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit qëndronte programi bërthamor i diskutueshëm i Teheranit.

Iranianët i janë kundërpërgjigjur sulmeve të shtetit hebre. Tashmë raportohet se në mesin e të vrarëve në radhët e iranianëve janë disa komandantë, shkencëtarë bërthamorë si dhe civilë.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është arritur armëpushimi Izrael-Iran. Pas kësaj ka pasur reagime të shumta.

Situata në Lindjen e Mesme është përcjellur me vëmendje edhe në Kosovë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar për Telegrafin se kanë përmbyllur me sukses evakuimin e disa qytetarëve të Kosovës nga Izraeli.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael, ka përmbyllur me sukses, që në ditët e para të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, evakuimin e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës nga territori i Izraelit, përmes Jordanisë dhe Egjiptit.

Procesi është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael. MPJD shpreh mirënjohjen e saj të thellë për bashkëpunimin dhe lehtësimin e procesit nga ana e autoriteteve përkatëse të këtyre vendeve”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Po ashtu, MPJD thotë se po ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, ku së fundmi është raportuar për një sulm.

“Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”, kanë deklaruar nga MPJD.

The post Armëpushim në Lindjen e Mesme, MPJD: Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi çdo kërkese nga qytetarët tanë në Izrael appeared first on Kosovapost.net.