Barcelona kryeson renditjen e skuadrave me vlerën më të rritur në botë

Barcelona është bërë klubi me skuadrën që ka pësuar rritjen më të madhe në vlerë në futbollin botëror që nga shtatori i kaluar. Sipas të dhënave të fundit nga “Transfermarkt”, skuadra blaugrana ka regjistruar një rritje prej 190 milionë euro në vlerën totale të lojtarëve të saj. Kjo e çon vlerën e përgjithshme të skuadrës katalanase në 1.7 miliardë euro, duke kaluar për herë të parë kufirin e një miliardi dhe e renditur Barçën me rritjen më të madhe në treg.

Performanca mbresëlënëse e Barcelonës së drejtuar nga Hansi Flick, e cila fitoi tre trofetë vendas; La Liga, “Copa del Rey” dhe Superkupa, si dhe arriti gjysmëfinalet e Champions League kundër Interit, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e vlerës së lojtarëve.

Rritja e vlerës i atribuohet në mënyrë të veçantë shpërthimit përfundimtar të të rinjve si Lamine Yamal, më i vlerësuari në skuadër me 200 milionë euro, si dhe Pau Cubarsí e Fermín López. Ndërkohë, Gavi, Pedri dhe Araujo kanë ruajtur vlerat e tyre të larta, duke konsoliduar statusin si yje të skuadrës blaugrana.

Rritja me 190 milionë euro nga shtatori i kaluar është më e madhja ndër të gjitha klubet, duke lënë pas PSG, Sporting Lisbona dhe Eintracht Frankfurt, të cilat gjithashtu kanë kaluar shifrën prej 100 milionë euro (rritje).

Image

Pas Barcelonës vjen PSG, kampioni i Europës, me një rritje prej 176 milionë euro, nxitur nga paraqitjet e lojtarëve si Vitinha, Hakimi, Zaïre-Emery, Doué dhe Barcola. Skuadra e Luis Enrique i ka fituar të gjitha trofetë e mundshëm (përveç Kupës së Botës për Klube, që ende po zhvillohet), duke arritur një vlerë totale prej 1.60 miliardë euro.

Podiumi plotësohet nga Sporting Lisbona, kampione e Portugalisë, e cila ka parë një rritje prej 118 milionë euro, duke arritur vlerën totale prej 511 milionë euro.

Në vendin e katërt është Eintracht Frankfurt, vendi i tretë në Bundesliga, me një rritje prej 107 milionë euro, që e çon vlerën e tij totale në 355 milionë euro.

Pas katërshes kryesore vjen surpriza nga Italia; Como 1907 e Cesc Fàbregas, që ka shtuar 82 milionë euro dhe tani vlen 188 milionë euro, duke kaluar emra si Mainz 05 (+76 milionë), Galatasaray (+73 milionë) dhe Chelsea (+72 milionë).

 

The post Barcelona kryeson renditjen e skuadrave me vlerën më të rritur në botë appeared first on Telesport.