Barzagli kundër euforisë “popullore”: Ta krahasosh Yildiz me Del Pieron, nuk i bën mirë djaloshit

Andrea Barzagli, një nga elementët e famshëm të “BBC”, që ka shkruar një epokë te Juventusi, ka analizuar formacionin bardhezi të drejtuar nga Igor Tudor përmes “Gazzetta dello Sport”. Ai është ndalur veçanërisht te forma e lartë sportive e Yildiz:

“Kenan e ka nisur shumë mirë, ka goditje të jashtëzakonshme dhe shënon si një lojtar jo normal. Është i ri dhe nuk duhet ngarkuar me shumë presion, por duhet thënë se të gjithë flasin shumë mirë për të. Në botën e sotme, madje edhe më shumë se në kohën time, ta kesh kokën në vend bën gjithë ndryshimin për një talent”.

Në lidhje me krahasimin mes numrit aktual 10 të “Zonjës së Vjetër” dhe atij që e ka mbajtur atë fanellë për një jetë, pra Alessandro Del Piero, ish-mbrojtësi shpjegon: “Yildiz ka lëvizje dhe goditje ‘alla Del Piero’, një repertor me cilësi të rrallë. Sidoqoftë, po flasim gjithmonë për një 20-vjeçar. Duhet të jemi të kujdesshëm me krahasime kaq të rënda, sidomos për të mirën e Kenan”.

Për një tjetër krahasim, atë midis Igor Tudor dhe Antonio Conte, ish-mbrojtësi fiorentin përfundon: “Igor ka një mentalitet të fortë, që i vjen nga e kaluara si futbollist. Atë lloj karakteri ose e ke, ose jo. Është tip i vendosur, i drejtpërdrejtë, këtë e ndiejnë dhe vlerësojnë lojtarët. Nga ky këndvështrim, Tudor i ngjan shumë Contes”.

The post Barzagli kundër euforisë “popullore”: Ta krahasosh Yildiz me Del Pieron, nuk i bën mirë djaloshit appeared first on Telesport.