Fabien Barthez, portieri karizmatik që fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 1998 dhe pas tërheqjes nga futbolli u bë pilot automobilizmi, ka rrëfyer disa prej episodeve më të vështira të karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme, ku shpesh ka luajtur i dëmtuar, madje edhe me kocka të thyera, duke pranuar se në shumë raste duhej të kishte treguar më shumë kujdes.
“Në kohën time nuk na mbronin. Kam luajtur shumë herë kur nuk duhej. Në Monaco, një herë thyeva një kockë në fytyrë. Duhej të ndaloja menjëherë për tri javë, por më vendosën një mbrojtëse dhe vazhdova të luaja. Tani po vuaj pasojat…, por nuk jam i penduar”, – tregoi Barthez nga shtëpia e tij në Toulouse për “L’Équipe”, në kuadër të një dokumentari për Zinedine Zidane.
Barthez, i cili e njoftoi tërheqjen nga futbolli më 8 gusht 2006, gjatë karrierës së tij ka luajtur për Toulouse (1990–1992), Olympique Marseille (1992–1995, 2003–2004 dhe 2004–2006), Monaco (1995–2000), Manchester United (2000–2004) dhe Nantes (2006–2007). Ai pranoi se dëmtimet dhe problemet fizike janë “pjesë e historisë sime”.
Ish-portieri francez kujtoi: “Në një rast, gjatë një ndeshjeje, pësova një goditje shumë të fortë. Në pushimin pas pjesës së parë, kofsha më ishte dyfishuar në madhësi. Mjeku më sugjeroi të mos luaja në pjesën e dytë, por unë i thashë që ndihesha mirë. Rezultati? Kalova natën në urgjencë, kofsha m’u ça në dysh dhe qëndrova dy muaj jashtë fushe.
Pra, unë jam përgjegjësi kryesor. Pati edhe momente në karrierën time, kur u bëra më i pjekur, preferoja t’i shmangia disa ndeshje”, – shtoi ai me sinqeritet. Pas më shumë se 15 vitesh si futbollist profesionist, Barthez, që sot është 53 vjeç, pranon se vazhdon të vuajë çdo ditë nga pasojat fizike të teprimit gjatë karrierës:
“Kur zgjohem, i them vetes se jam plakur. Nëse nga mosha 15 deri në 36 vjeç je hedhur mbi tokë çdo ditë, në të gjitha drejtimet, nuk ka pse të habitesh. Gjithsesi, nuk jam i vetmi. Të gjithë jemi të shkatërruar. Mjafton të vini në ndeshjet që luajmë me Pascal Olmeta, t’i shihni djemtë teksa vrapojnë…”
Fatmirësisht, sot sportistët gëzojnë më shumë njohuri mjekësore dhe respekt më të madh për kohën e rikuperimit pas dëmtimeve. Barthez u kthye edhe në një figurë të njohur të mediave rozë për lidhjen e tij me supermodelen kanadeze Linda Evangelista, një nga emrat më të mëdhenj të modës në botë në vitet ‘90.
Çifti, i cili madje u fejua, ishte bashkë nga viti 1998 deri më 2000. Gjatë lidhjes së tyre, Linda Evangelista mbeti shtatzënë, por fatkeqësisht e humbi fëmijën pas një aborti spontan në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
The post Portieri, që u lidh me top-modelen Linda Evangelista, denoncon futbollin: Të gjithë jemi të shkatërruar… appeared first on Telesport.