Tare rrëfen në 360 gradë Milanin që ka në mendje: Modric do jetë lideri ynë, fokusi te ylli i dytë

Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, ka folur gjatë një konference me shtypin, të mbajtur në selinë e klubit kuqezi. Më poshtë keni deklaratat e tij:

Përshëndetja dhe hyrja personale…
Sapo kanë kaluar dy javë që jam te Milani. Dua të falënderoj të gjithë klubin për mikpritjen që më ka bërë, ndihem menjëherë pjesë e këtij grupi. Kjo është thelbësore për të nisur me dëshirë dhe vendosmëri. Kam ardhur në një klub me histori kaq të lavdishme dhe kjo sjell përgjegjësi të madhe. Jam i vendosur të jap maksimumin, të kontribuoj që ky klub të rikthehet aty ku e meriton, në majat e futbollit italian dhe europian.

Si e gjen veten dhe çfarë tiparesh do të ketë skuadra në fund të merkatos?
Kam pasur mundësinë t’i njoh nga afër problemet e sezonit të kaluar, por nuk më pëlqen të shikoj pas. Dua vetëm të mësojmë nga gabimet për të mos i përsëritur. Në këtë fazë të parë të merkatos kemi analizuar daljet nga skuadra dhe lojtarët që mund të afrohen. Kam pasur shumë mbledhje me stafin, me Zlatan, Moncada, me Allegri. Jemi takuar disa herë dhe mendoj se i kam idetë e qarta: nuk do të ketë revolucion, por ndërhyrje të sakta në role të caktuara për t’u bërë konkurrues. Do të kemi më shumë kohë për të punuar gjatë javës, gjë që ndihmon për të ndërtuar themelet e projektit.

Çfarë mungoi sezonin e kaluar? A do vijë Modric?
Një nga mungesat ishte lidershipi i qartë. Nuk i njoh plotësisht dinamikat, por besoj se blerja e Modric është e rëndësishme pikërisht për këtë. Kam folur personalisht me të dhe e pashë ende shumë të motivuar. Do të sjellë eksperiencë dhe mentalitet fitues. Nuk do të jetë vetëm ai, por do të ketë edhe 1-2 afrime të tjera me përvojë për t’i udhëhequr të rinjtë.

Xhaka dhe Jashari?
Mesfusha është reparti ku do të ndërhyjmë më shumë. Me trajnerin kemi analizuar profilet e nevojshme. Emrat që përmendët janë opsione me vlerë, por zgjedhja do bëhet në bazë të asaj që i duhet skuadrës.

Për Theo Hernandez?
Cilësitë e Theos njihen. Ka dhënë shumë për Milanin. Ai ka shprehur dëshirën për një eksperiencë të re. Kjo përkon me ndërtimin e një skuadre të re nga unë dhe trajneri. Shitja e tij nuk është finalizuar, po punojmë për të. Është një proces në zhvillim.

A po largohet edhe Maignan?
Maignan nuk është në shitje. Do të jetë pjesë e Milanit edhe sezonin e ardhshëm. Ka pasur interesim nga një klub anglez, por nuk pati marrëveshje. Ai është një pikë referimi, brenda dhe jashtë fushës. Ne kemi vendosur të bazohemi mbi të.

Çfarë humori ke gjetur te lojtarët me përvojë?
Kam parë raste ku ekipe me një sezon të dobët janë rikthyer menjëherë. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Milanin.

Si është gjendja në sulm, a do të vijë një tjetër përkrah Gimenez? A mund të vijë Kean ose Vlahovic?
Po kërkojmë një tjetër sulmues për të konkurruar me Gimenez, i cili ka pasur një periudhë ambientimi. Kemi besim tek ai, por na duhet një sulmues tjetër, një ‘9’ klasik, me prani në zonë, që ka munguar te Milani prej largimit të Giroud.

Për Leaon, a ka oferta? A është i paprekshëm?
Leao është kampion i vërtetë. Një nga të paktët që i vendos ndeshjet edhe i vetëm. Kam folur me të dhe më surprizoi pozitivisht. Është shumë i motivuar dhe i interesuar për forcimin e skuadrës. Për ne është i rëndësishëm në projekt. Deri tani, nuk kemi marrë asnjë ofertë. Gjithçka që qarkullon janë thjesht zëra.

Pse Musah nuk është më në plane?
Musah është lojtar i mirë, por ne kërkojmë një mesfushor më të thelluar për mesfushën me tre. Ai nuk i ka këto karakteristika. Kjo është arsyeja pse po kërkojmë diçka ndryshe.

Si e bindët Allegrin të vijë?
Pas mbërritjes time, duhej ndërhyrë menjëherë. Në kontaktin e parë me Allegrin ndjeva menjëherë përkushtimin e tij për Milanin. Me një takim në Lugano, së bashku me Furlanin, për 48 orë morëm ‘po’-në e tij.

Çfarë identiteti do ketë Milani i Allegrit?
Nuk është vetëm çështje moduli, por mënyrë loje. Duam një skuadër kompakte, që t’i dominojnë ndeshjet dhe me lojtarë teknikë. Për këtë duam edhe një ‘regji’ të pastër, ose një lojtar si Modric që rrit nivelin teknik.

Objektivi, a është ylli i dytë me Allegrin?
Kur punon për Milanin, objektivi është fitimi i trofeve. Është nder të punoj këtu. Po, synojmë yllin e dytë.

Çfarë do bëhet me Camarda?
Diskutuam dje për të. Do të shkojë në huazim te Lecce për një sezon. Ka një rol të rëndësishëm për të ardhmen e klubit tonë.

Mesazhi për tifozët, që e kanë kontestuar shumë klubin?
Kur bëhet fjalë për një klub të tillë, zgjedhjet duhen menduar mirë. Jam tifoz i Milanit që fëmijë. Kritikat na japin më shumë përgjegjësi. Nga humbjet e mëdha lindin fitoret e mëdha. Duhet të mësojmë nga e kaluara.

Për krahët e mbrojtjes, a pëlqehet Zinchenko?
Kemi një profil të qartë, lojtarë të rinj me perspektivë, që i përshtaten stilit tonë të lojës. Kemi ide të qarta dhe brenda 2–3 javësh do ketë zhvillime në këtë drejtim.

Po rinovimi i Pulisic?
Do të jetë një lojtar kyç për sezonin e ardhshëm. Rreth rinovimit do flasim në kohën e duhur, por aktualisht jemi të fokusuar te skuadra. Ai është një nga shtyllat e sezonit të ardhshëm.

Si do zëvendësohet Reijnders?
Është e vështirë të bëhen krahasime. Loftus-Cheek është një nga mesfushorët më të kompletuar në Europë dhe mund të jetë shumë i rëndësishëm për Milanin. Mund të ketë edhe ndonjë afrime me karakteristika të ndryshme nga Reijnders, duke qenë se do luajmë me një mesfushë me tre, që mund të transformohet gjatë ndeshjes.

Sulmuesi i ri duhet ta njohë Serie A…
Po shqyrtojmë alternativa si brenda, ashtu edhe jashtë Italisë. Nuk është çështje vendi, por karakteristikash. Duam dikë ndryshe nga Gimenez, që është më shumë lojtar krahu se sa ‘9’ klasik si Giroud.

Si ndiheni personalisht në këtë aventurë te Milani?
Më pëlqen shumë ndjenja e përkatësisë dhe dua ta transmetoj këtë edhe te skuadra. Duhet të kthehemi te baza, të kemi lojtarë që identifikohen me këto ngjyra.

Çfarë të ka thënë Modric?
Pyetja e parë që më bëri ishte nëse do të ndërtojmë një skuadër për të fituar titullin. Vjen nga Real Madridi me 7 Champions League. Është gati të jetë protagonist dhe të sjellë mentalitetin fitues. Për të do ishte kënaqësi të kishte një sezon të madh, edhe në funksion të Kupës së Botës.

Çfarë kërkon Allegri nga ju?
Jam çdo ditë në kontakt me të, 4-5 herë në ditë. Ai është i informuar për çdo lëvizje. Sistemi i tij i lojës është i qartë: fillimisht plotësojmë disa role dhe pjesa tjetër do kompletohet në fund të merkatos.

A do bindni Furlanin të shpenzojë 45-50 milionë për një sulmues?
Me Zlatanin kemi diskutuar se kësaj skuadre i mungon një ‘9’ i zonës, i fortë fizikisht, që mban topin dhe e ngre skuadrën. Gimenez nuk e ka këtë profil. Ka disa opsione dhe nuk është çështje çmimi, por karakteristikash. Jemi të kujdesshëm dhe duam të bëjmë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur. Roli më kritik është ai i mesfushorit mbrojtës, pastaj do plotësojmë pjesët e tjera.

Po me Moncadan si po punon?
E njoh prej më shumë se 3, 4 vitesh. Është bashkëpunëtor dhe pjesë e rëndësishme e projektit tonë.

The post Tare rrëfen në 360 gradë Milanin që ka në mendje: Modric do jetë lideri ynë, fokusi te ylli i dytë appeared first on Telesport.