Allegri, Ibra, Maignan, Theo…; Furlani dhe Tare prezantojnë kursin e ri të Milanit

Igli Tare përvijon drejtimet kryesore të projektit teknik të Milanit të ri. Nuk do të ketë “revolucion”, por ndërhyrje të studiuara për të rritur cilësinë dhe personalitetin e skuadrës. “Nuk do të jetë një revolucion i skuadrës, por do të theksojmë role specifike për t’u rikthyer konkurrues”, – shpjegoi ai. Në qendër të merkatos do të jetë mesfusha, me qëllim që t’i afrohet Modric-it një ose dy profile me përvojë, ndërsa ardhja e një sulmuesi që plotëson Gimenez konsiderohet përparësi.

Theo Hernandez është drejt largimit (“ka dëshirën për të provuar një përvojë të re”), ndërsa Maignan qëndron. Pati përpjekje nga Premier League, “por nuk u gjet një marrëveshje dhe ne duam të vazhdojmë me të.” Leao konsiderohet i pazëvendësueshëm, ndërsa Camarda do të huazohet te Lecce.

Tare konfirmoi harmoni të plotë me Allegrin, të cilin e cilësoi si “njeriun e duhur për ta rikthyer Milanin aty ku i takon”. Një skuadër kompakte, me zotërim topi dhe identitet të qartë. Musah nuk bën pjesë në planet kuqezi, ndërsa Reijnders do të zëvendësohet me profile më të përshtatshme për një mesfushë me tre lojtarë. Për rolet e mbrojtësve të krahut po kërkohen lojtarë të rinj me perspektivë, ndërsa Pulisic konsiderohet “një nga shtyllat e sezonit të ardhshëm”.

Drejtori i përgjithshëm, Giorgio Furlani ripohoi rëndësinë e projektit sportiv. Ardhja e Tares dhe Allegrit i përgjigjet nevojës për përvojë dhe rezultate. “Qëllimi mbetet fitimi i trofeve”, – deklaroi ai. Nuk ka ndarje midis sektorit teknik dhe drejtuesve, por unitet në qëllime. Ibrahimovic do të vazhdojë të ndikojë në mënyrë gjithëpërfshirëse në klub, ndërsa Moncada mbetet drejtor teknik dhe figurë kyçe në skautim. Milani synon yllin e dytë, por me një ekuilibër të qëndrueshëm mes investimeve dhe paraqitjeve.

The post Allegri, Ibra, Maignan, Theo…; Furlani dhe Tare prezantojnë kursin e ri të Milanit appeared first on Telesport.