Çeku: Gërmimet në Ulpianë sjellin dritë mbi historinë tonë të lashtë

Ulpiana, një prej zonave më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë, po vazhdon të ofrojë dëshmi të reja mbi të kaluarën e lavdishme të Dardanisë.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se gërmimet në këtë park arkeologjik kanë hyrë në një fazë të re dhe premtuese, pas zbulimeve të rëndësishme që janë bërë kohët e fundit.

“Gërmimet në Ulpianë vazhdojnë të na sjellin dritë mbi historinë tonë të lashtë. Pas zbulimit të mbishkrimit monumental të Perandorit Justinian, që dëshmon lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me Dardaninë, dhe shpronësimin e pronave përreth, tashmë në pronësi të shtetit, është zgjeruar zona e gërmimeve. Gërmimet drejt gjetjeve të reja po vazhdojnë në bazilikë. Deri më tani janë zbuluar copëza të bukura qeramike, kolona mermeri dhe pjesë të kapiteleve të kolonave”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Ai tutje ka bërë të ditur se po punohet edhe për konsolidimin e menaxhimit të të gjithë parkut arkeologjik dhe për zbatimin e planit të rekrutimit të stafit të nevojshëm.

“Mirënjohje e përzemërt për gjithë arkeologët vendorë e të huaj si dhe ekipin mbështetës për punën kolosale, në veçanti për bartësit e këtij gërmimi, profesor Christophe Goddard, profesor Arben Hajdari dhe arkeolog Milot Berisha”, ka shkruar tutje Çeku.

 

The post Çeku: Gërmimet në Ulpianë sjellin dritë mbi historinë tonë të lashtë appeared first on Kosovapost.net.