Samiti i NATO-s, i cili mbahet në Holandë, është i pari me pjesëmarrjen e presidentit amerikan Donald Trump pas marrjes së mandatit të dytë.
Takimi do të jetë ndër më të shkurtërit në historinë e NATO-s, me vetëm një darkë zyrtare të organizuar nga Mbreti i Holandës dhe gjysmë dite diskutimesh për një temë të vetme – shpenzimet për mbrojtje.
Vendet anëtare kanë rënë dakord të rrisin këto shpenzime në 5% të BPV-së. Gjatë mandatit të parë, Trump kishte kërcënuar me largimin nga NATO nëse vendet nuk kontribuonin më shumë për mbrojtje.
Struktura dhe tematika e samitit janë përshtatur me këtë qasje të tij, për të garantuar një epilog pozitiv.
Edhe zbehja e fokusit ndaj Ukjrainës mbase është bërë për të njejtin qëllim.
Presidenti Zelensky është takuar me nikoqirët, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, por nuk do marrë pjesë në punimet kryesore. Gjithahstu mesazhet për Ukrainën pritet të jenë të zbehura:
“Me siguri që në deklaratën përfundimtare do të përfshihet një gjuhë e rëndësishme për Ukrainën dhe mbështetjen financiare për të në të ardhmen. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ajo që kemi parë gjatë dy javëve të fundit është e papranueshme”, tha Mark Rutte.
Sipas të gjitha gjasave, deklarata përfundimtare nuk do të përmendë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – një temë që kishte qenë në fokus në dy samitet e mëhershme – për shkak të qëndrimit kundërshtues të presidentit Trump ndaj pranimit të Ukrainës në aleancë.
Në dokumentin përfundimtar do të konfirmohet se Shqipëria do të jetë një nga nikoqiret e ardhshme të samitit. Kjo ngjarje, mbase ndër më të rëndësishmet për shtetin shqiptar, do të zhvillohet pas samitit të ardhshëm të planifikuar për t’u mbajtur vitin tjetër në Stamboll.
The post Samiti i NATO-s me fokus në shpenzimet për mbrojtje appeared first on Kosovapost.net.