Buxheti shtesë për zgjedhje përplasë PDK-në e LVV-në në KQZ

Mbi 6 milionë euro është buxheti për të cilin në gjysmën e këtij muaji vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i kërkojë shtesë nga qeveria për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, të cilat si tërësi parashihen të jenë mbi 16 milion euro.

E pikërisht kjo u bë shkak i përplasjes mes dy kolegëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashit që aty përfaqëson PDK-në e Alban Krasniqit që aty përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje.

Gashi, në mbledhjen e sotme të këtij institucioni tha se po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është miratuar nga qeveria, deklarim ky që nxiti reagimin e anëtarit nga LVV-ja.

“Mendoj që duhet të keni komunikim direkt sepse për faktin se mos miratimi shtesë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore e kryesisht operacione të reja të futura në rregullore zgjedhore që janë në shërbim të procesit”, tha Gashi.

Ai i tha kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi se duhet të jetë në kontakt me qeverinë në mënyrë, sipas tij, ky buxhet të jetë sa më parë në llogarinë e institucionit që organizon zgjedhjet.

Por, Alban Krasniqi tha se Gashi i PDK-së dezinformoi kur tha se nuk ka buxhet të miratuar për zgjedhje, sepse buxheti është miratuar vitin e shkuar. Ai tha se është mirë tu qartësohet qytetarëve se bëhet fjalë për kërkesën për buxhet shtesë.

“Kolegu duhet të jetë korrekt, fushata nuk ka filluar ende e kolegu është mirë të jetë korrekt me publikun edhe me informimin e drejtë. Buxheti për këto zgjedhje është tashmë i ndarë, çështja është për kërkesat shtesë buxhetore që i kemi pasur. Për kërkesat shtesë buxhetore ne e dimë kur e kemi bërë një kërkesë të tillë, gati 2 javë më parë dhe natyrisht që duhet të mbahet institucioni ynë në komunikim për kërkesat shtesë buxhetore, për kërkesat shtesë që ne vetë si institucion nuk i kemi planifikuar”, tha ai.

“Nuk je zëdhënës i qeverisë. Nuk e kisha fjalën për buxhetin si tërësi, por për kërkesën për buxhet shtesë.”,  i tha Gashi i PDK-së, Krasniqit të LVV-së.

Ndërkohë, Alban Krasniqi anëtar nga Vetëvendosje ka treguar se një prej kërkesave për mjete shtesë nga qeveria ka të bëjë për një softuer i cili kishte dështuar më parë.

“Një prej kërkesave që i është parashtruar qeverisë ka të bëjë me një softuer i cili neve na ka dështuar dhe të cilin ne e kemi pasur mbështetjen financiare. E kjo është kërkesë e re. Dhe kur shfrytëzohet kjo kërkesë e re, duhet t’i justifikohesh edhe publikut jo veç qeverisë se pse po kërkon buxhet shtesë për një softuer të njëjtë që të ka dështuar. Atëherë, ti detyrohesh ta thuash publikisht, sepse po mundohesh ta goditësh dikë tjetër me dështimin tënd, me dështimin tonë”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i KQZ-së tha se zgjedhjet janë në tetor dhe ka ende kohë. “Nuk është aq vonë sa po e shoh, zgjedhjet janë në tetor, nuk është për t’u diskutuar aq shumë”, tha Radoniqi.

The post Buxheti shtesë për zgjedhje përplasë PDK-në e LVV-në në KQZ appeared first on Kosovapost.net.