Sara Kolami rrëfen përvojën në Big Brother VIP Kosova: Zbulova veten në një realitet të sajuar, nuk dola asnjëherë jashtë vetes

Modelja dhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3, Sara Kolami, ka ndarë për herë të parë reflektime të thella rreth qëndrimit të saj në shtëpinë më të famshme në Kosovë.

E ftuar në emisionin “Shoqet”, Sara u ngacmua për eksperiencën në reality shou, ku tregoi se pjesëmarrja në këtë format ishte një udhëtim i rëndësishëm personal.

“Sara është futur aty të tregonte veten e saj. Më pëlqeu vetja brenda. Zbulova veten time brenda dhe jam shumë e lumtur për gjithë eksperiencën dhe për njerëzit që kam njohur rrugës”, u shpreh modelja nga Shqipëria, duke nënvizuar se ndonëse ishte një format televiziv, ajo ka arritur të mbajë të pandryshuar thelbin e saj si njeri.

Foto: Screenshot/TikTok

E njohur për qetësinë dhe qëndrimin e saj të matur, Sara tregoi se përballja me një ambient të mbyllur dhe me presione të vazhdueshme psikologjike, i dha mundësinë të eksploronte dimensione të reja të vetes.

“Te pjesa personale kam kuptuar shumë gjëra për veten time sepse aty nuk ishim në rrethana normale, ishim në rrethana të sajuara, realitet falso. I studioja njerëzit, mësova si t’i ç’armatizojë. Dhe nuk ia dhashë kënaqësinë që të dilja jashtë vetes”, tha ajo më tej.

Me këtë rrëfim, Kolami jo vetëm që dëshmoi se BBVK ishte një përvojë që e ndihmoi të rritet, por edhe dërgoi një mesazh të qartë për ata që e ndjekin: autenticiteti dhe qetësia janë armët më të fuqishme në një botë ku shpesh stimulohet zhurma dhe konfliktet.