Alternativa garon e vetme në zgjedhjet lokale

Gjatë ditës së sotme më 23 qershor do të përfundojë afati për partitë politike, të cilat dëshirojnë të formojnë koalicionet e tyre, për të garuar në zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.

E në këto zgjedhje partia Alternativa që në Kuvendin e Kosovës është së bashku me Vetëvendosjen dhe Listën Guxo, do të garojë e vetme.

Kjo është bërë e ditur nga vetë kryetarja e këtij subjekti politik, Mimoza Kusari-Lila, në një përgjigje për Indeksonline.

‘’Kësaj rradhe do të jemi vetëm, secila nga tri partitë, do të garojmë vetëm’’ ka thënë Kusari-Lila.

Më tutje Lila ka thënë se Alternativa do të garojë në vetëm prej disa komunave të Kosovës.

‘’Ne jemi të fokusuar në disa komuna. Ende nuk e kemi bërë publike listën e komunave. Në disa komuna garojmë me kandidatë, ndërsa në disa të tjera vetëm me listë për asamble’’, ka thënë Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila po ashtu ka folur edhe për kandidatin e Alternativës që pritet të jetë në garë për të parin e Gjakovës.

Lidhur me këtë Kusari-Lila tha se ende nuk kanë vendosur për emrin e kandidatit.