KEK: Njësia A5 e TC `Kosova A` rikthehet në operim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se sot, më 23.06.2025, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.

“Procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike”, njofton KEK.

KEK bën me dije se punimet e realizuara përfshijnë:Sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse (i përfunduar të premten), sanimin e rrjedhjeve në ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës (i përfunduar të dielën), pastrimin me pompë presioni të ftohësve të hidrogjenit, pastrimin e komorave në hyrje të kondensatorit, punime mirëmbajtëse në pajisjet e sistemit MRR dhe pastrimin e kuotave rreth kaldajës nga materiale të huaja – për rritje të sigurisë dhe efikasitetit operacional.

KEK njofton se ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve tona teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, ka falënderuar të gjithë punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre:

“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë”, tha ai.

Duke marrë parasysh interesimin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve, veçanërisht të banorëve që jetojnë në afërsi të Termocentralit Kosova A, KEK, po ashtu ka dale me një sqarim.

“Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë. Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet. Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit”, njofton KEK.

Po ashtu KEK thotë se siç dëshmohet edhe nga fotografitë e orës 11:07, njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, çka konfirmon përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.

“KEK sh.a. bashkëndjen me qytetarët e komunës dhe posaçërisht me ata që ndodhen në afërsi të zonës operative. Sigurojmë qytetarët se proceset e startimit kryhen me përkujdesje të shtuar teknike, nën mbikëqyrje të vazhdueshme, dhe janë të domosdoshme. KEK mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese, përmes mirëmbajtjes së kujdesshme, planifikimit teknik dhe angazhimit profesional të pandërprerë, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

The post KEK: Njësia A5 e TC `Kosova A` rikthehet në operim appeared first on Kosovapost.net.