Nga 55 euro shtesë në pagat e tyre do t’i marrin punëtorët e sektorit publik nga muaji i ardhshëm (korrik), bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës në fund të vitit që lamë pas.
Një rritje e tillë prej 55 eurosh ka ndodhur edhe në janar të këtij viti.
Edhe pse e paraqitur si lehtësim ekonomik, kjo masë është pritur me zhgënjim nga Sindikatat, të cilat e konsiderojnë të pamjaftueshme shtesën prej 55 euro në pagë përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.
Në një kohë kur inflacioni ka prekur pothuajse çdo aspekt të përditshmërisë së qytetarëve, rritja simbolike e pagave shihet më shumë si një përpjekje për të fituar pikë politike sesa si një zgjidhje reale për problemet ekonomike të punëtorëve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik me nga 55 euro, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshme dhe të shkëputur nga realiteti ekonomik i vendit.
Ai tha për “Front Online” se inflacioni, çmimet e larta të energjisë dhe rritja e varfërisë gjatë katër viteve të fundit kanë rënduar ndjeshëm jetën e qytetarëve.
“Që kur është marrë ky vendim kemi pas vërejtjet tona se nuk mjafton kjo rritje dhe nuk është në përputhje me zhvillimet dhe tregun ekonomik të vendit sepse inflacioni, çmimet e energjisë dhe shumë probleme tjera dhe rritja e varfërisë gjatë katër viteve ka bërë që qytetarët ta kenë jetën më të rëndë”, deklaroi Shala për ”Front Online.
Zjarrfikësit të pakënaqur me rritjen e pagave: Rritja prej 55 euro është e padrejtë
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave në dy pjesë me nga 55 euro, duke e quajtur atë të pamjaftueshme dhe të padrejtë ndaj zjarrfikësve.
Ai thotë se ky profesion mbetet i nënvlerësuar, me koeficient më të ulët krahasuar me shërbime të tjera.
“Nuk është e mjaftueshme kjo rritje. Zjarrfikësi janë me koeficient më të ulët në raport me shërbimet tjera të hyrat që i kemi pas për rrezikshmëri në punë i kanë ndërpre qeveria e kompensimet jashtë oraret e festave krejt këto ndikojnë në pakënaqësinë që kemi”, thotë ai.
Beka ka kërkuar që qeveria të ketë më shumë kujdes për mirëqenien e punëtorëve dhe të njohë vështirësinë e këtij profesioni jetik.
“Kjo qeveria duhet të ketë parasysh mirëqenien e qytetarëve dhe punëtorëve, paga të vogla e të pamjaftueshme. Zjarrfikësit edhe jetën e rrezikojnë duhet ta kenë të qartë këtë profesion të vështirë”, potencoi Beka.
Ali Sefaj, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil, ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave në dy pjesë me nga 55 euro, duke e quajtur atë të pamjaftueshme.
“Rritja prej 55 eurove është e pamjaftueshme në raport me situatën reale ekonomike. Të gjitha çmimet bazë janë rritur: energjia elektrike, produktet ushqimore, karburantet, qiratë — dhe kjo rritje minimale e pagave nuk e ndjek ritmin e këtyre shpenzimeve jetike”, u shpreh Sefaj për FrontOnline.
Ai kërkoi që Qeveria të ndërmarrë politika më serioze dhe të zbatojë indeksim të rregullt të pagave sipas inflacionit dhe kostos reale të jetesës.
“Pagat duhet të rriten realisht, në përputhje me koston e jetesës, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi t’i përballojnë nevojat elementare. Përndryshe, kjo shtesë simbolike vetëm sa i mban njerëzit në një nivel mbijetese, por nuk i ndihmon për një jetë dinjitoze”, theksoi Sefaj.
Kryetarja e FSSHK-së: Kjo rritje e pagave nuk e ndalon largimin e punëtorëve shëndetësorë
Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, për ‘Front Online’ ka folur lidhur me rritjen e pagave prej 55 eurosh nga Qeveria, duke rikujtuar se ky vendim është marrë që nga viti i kaluar dhe nuk reflekton realisht situatën ekonomike aktuale.
“Ky vendim është marr që nga viti i kaluar, marrë në konsideratë situatën ekonomike, inflacionin dhe situatën në përgjithësi, për FSSHK niveli i pagave të punëtorëve shëndetësor nuk është në përputhje me kërkesat dhe punën e tyre”, shprehet Imeri.
Tutje, Imeri theksoi se çdo rritje e pagës nuk ndalon largimin e punëtorëve nga sektori i shëndetësisë.
“Çdo rritje nuk është argument për ikjen e punëtorëve shëndetësor”, vlerësoi ajo.