Shkruan: Albanez Tahiraj
Lashtësia e Vushtrrisë nuk nënkupton se mosha e vjetër e ekzistencës së qytetit prodhon më lehtë harresë kolektive. Përkundrazi, ky qytet është vetë kujtesa, është guri që flet, ura që ruan hapat, kalaja që dëshmon, dhe njerëzit që nuk harrojnë asgjë.
Qytetarët e Vushtrrisë nuk janë shikues të spektakleve politike, por janë dëshmitarë të historisë së vet dhe dinë të vlerësojnë me kujdes se kush u ka shërbyer me dinjitet, e kush është kujtuar për ta vetëm në kohë fushatash. Në këtë qytet nuk ka vend për premtime që shuhen sapo të mbyllet kutia e fundit e votimit.
Ka njerëz që kujtohen për Vushtrrinë vetëm kur fletorja e zgjedhjeve hapet. Por Vushtrria nuk është faqe për t’u shkruar sipas nevojës, por është libër i trashëgimisë, përpjekjeve dhe krenarisë, prandaj këtë libër nuk mund ta shkruan kushdo.
Tani është koha për qytetari të kujdesshme, për kujtesë aktive, për vendime që nuk lëkunden nga retorika boshe, por që mbështeten në vepra dhe fakte. Në vazhdën e këtyre fakteve, kryetari i komunës nuk duhet të jetë një emër që kërkon vend, por ai duhet të jetë një prani që lënë gjurmë, një drejtues që dëshmon se Vushtrria udhëhiqet me përulësi dhe dashuri, e kurrsesi me pseudokrenari.
Vushtrria nuk është vend për eksperimente politike, por është qytet i lashtë, me histori të thellë, me njerëz të urtë e të mençur, që kanë ditur gjithmonë të bëjnë dallimin mes fjalëve boshe dhe rezultateve të prekshme.
Vushtrria nuk është vend për t’u kujtuar vetëm çdo katër vjet. Nuk është një stacion i përkohshëm për karriera personale, por është shtëpi për ata që jetojnë, kontribuojnë dhe sakrifikojnë për të çdo ditë.
Zgjedhjet që po afrojnë nuk janë vetëm për të zgjedhur një kryetar, mirëpo janë proces për të vendosur mes seriozitetit dhe improvizimit, mes përkushtimit të vazhdueshëm dhe rikthimeve sporadike. Prandaj, Vushtrria meriton vazhdimësi, stabilitet dhe lidership që buron nga vetja e saj.
Vushtrria nuk është një “pikë kthimi” për ambicie personale të askujt. Nuk është një projekt i ndërprerë, që mund të rindezët sa herë që dikush e sheh të arsyeshme të rikthehet. Por është një qytet që kërkon vazhdimësi, përkushtim dhe përfaqësim të denjë çdo ditë, jo vetëm në prag të zgjedhjeve.
Vushtrria nuk është një skenë e përkohshme për aktorë politikë që vijnë, recitojnë dhe ikin. Pasi që Vushtrria është e njerëzve që jetojnë çdo ditë këtu, që përballen me sfida reale dhe që presin jo vetëm fjalë të bukura, por vepra konkrete.
Prandaj, zgjedhjet që po afrojnë janë një mundësi për të ruajtur ritmin e zhvillimit, për të mos lejuar kthimin pas, dhe për të vlerësuar punën që flet vetë.
Qytetarët e Vushtrrisë tashmë e kanë bërë dallimin dhe kanë marrë vendimin e tyre.
(Autori është drejtor i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Vushtrrisë)