Tensionet në Lindjen e Mesme/ Erdogan: Netanyahu është pengesa më e madhe për paqen në rajon

Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, ka deklaruar se qeveria izraelite e Benjamin Netanyahut përbën “pengesën më të madhe” për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë për mediat, Erdogan akuzoi Izraelin për përpjekje të vazhdueshme për të “sabotuar” çdo përpjekje për negociata bërthamore mes SHBA-ve dhe Iranit, duke e dëshmuar, sipas tij, mungesën e vullnetit për zgjidhje diplomatike përmes sulmeve të vazhdueshme.

Ai u bëri thirrje vendeve të tjera që të mos bien pre e “retorikës helmuese” të Izraelit dhe të angazhohen për gjetjen e një rruge paqësore për zgjidhjen e konfliktit.

Ndërkohë, disa vende ndërkombëtare kanë kërkuar që Irani të rikthehet në tryezën e bisedimeve, por zyrtarët iranianë kanë deklaruar se një zgjidhje diplomatike nuk është e mundur për sa kohë që vazhdojnë sulmet izraelite. / abcnews.al