Sondazhi i UBO-së, Maliqi: Është një lloj votuesi që ka qejf me shku me fituesin, VV-së mund t`i hiqen edhe 5%

Analisti Agon Maliqi ka komentuar sondazhin e kompanisë UBO, i cili tregon për një rënie të besimit të qytetarëve ndaj VV-së.

Ai ka vlerësuar se është një lloj votuesi që ka dëshirë të shkoj me fituesin.

Duke u bazuar në këtë fakt, Maliqi ka bërë me dije se rënia e VV-së mund të jetë më e madhe.

“Treguesi më interesant i sondazhit të Ubo është se votuesit e VV me shumicë (60%) ua lenë fajin “të gjitha partive” (pra edhe VV-së) ndërsa 6,9% ia lënë fajin VV-së. Pra 2/3 të votuesve të VV shohin përgjegjësi te VV në këtë situatë. Ndërsa votuesit e partive të tjera me shumicë (50-70%) e fajësojnë vetëm VV-në dhe fare pak partitë e tyre. Me fjalë të tjera, ka filluar ta nuhasë elektorati Leninin. Sa për përqindjet, është një lloj votuesi që ka qejf me shku me fituesin. Si ta sheh ai/ajo që s’je ma luan i pamposhtshëm, të hiqen automatikisht nja 5%. Efekt ky i rezultateve të shkurtit i cili, në bazë të kandidaturave të bëra publike deri tash, do të thellohet edhe më shumë pas zgjedhjeve lokale. Përveç nëse “e shpëton” prap situatën ndonjë krizë e sigurisë që i ringjallë komandantat e tastaturave”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij në “Facebook”.