Çeku e shkruan postimin e parë si kandidat, flet për Prishtinë të gjelbër

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës,  Hajrulla Çeku, ka shkruar postimin e parë për hapjen e fushatës, me atë që thotë ai për “Lëvizjen për Prishtinën”, përcjell KosovaPost.

Ai ka thënë se angazhimi fillon sot, për një “Prishtinë të pastër e të gjelbër”.

Po ashtu, Çeku ka falënderuar për besimin strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

“ Lëvizja për Prishtinën! Sot nuk po nisim vetëm një fushatë, por një rrugëtim afatgjatë për kryeqytetin që duam. Ky është bashkim vullnetesh i njerëzve që Prishtinën e duan përnjëmend. Lëvizja për Prishtinën ka filluar.  Prishtina mund të bëhet, Prishtina do të bëhet. Do ta bëjmë bashkë. Zgjidhjet konkrete për problemet e Prishtinës do t’i hartojmë bashkë me qytetarët. Ato do t’i zbatojmë serish bashkë me qytetarët”.

“Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për kryetarin, kryesinë, anëtarët dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë. Besimin që më kanë dhënë do ta kthejmë në fitore dhe qeverisje të mirë. Angazhimi fillon sot. Për Prishtinën tonë. Të pastër e të gjelbër, me duar të pastra e vizion zhvillimor, me mirëqenje për të gjithë, sidomos për ata që kanë më së shumti nevojë. Për fëmijët tanë dhe ata që ende nuk kanë lindur. Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë”, ka thënë ai.

The post Çeku e shkruan postimin e parë si kandidat, flet për Prishtinë të gjelbër appeared first on Kosovapost.net.