Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e propozuara e kësaj partie për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar bllokadën aktuale politike, si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ajo theksoi se qëndrimi i Vetëvendosjes është i qartë: Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë në mënyrë që të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“E kemi thënë disa herë që kjo është sjellje e papërgjegjshme politike, por po ashtu është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Haxhiu. Është e rëndësishme që secili deputet në Kuvend të jetë i përgjegjshëm në raport me përgjegjësitë që ka.”
“Që nga 15 prilli kur është thirrur seanca e parë, ne kemi dhënë votën për gjithçka që ka qenë në rend dite. Ne jemi në të drejtën tonë kushtetuese. Vetëvendosje ka propozuar emrin për kryetar Kuvendi dhe nuk i përket partive të tjera të tregojnë se kush duhet të jetë në këto pozita,” deklaroi ajo.
Haxhiu tha se nëse nuk ka vullnet për të dalë nga kjo situatë, vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje. Haxhiu po ashtu tha se Gjykata Kushtetuese është votuar për të dhënë një vendim në lidhje me kontestimin e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
“Ndonëse jemi për konstituim të Kuvendit dhe votimin e Qeverisë së re, nëse ka mungesë të vullnetit për ta bërë këtë nëse ka një refuzim apriori për ta bërë këtë, nëse ka një refuzim të rezultatit të 9 shkurtit, atëherë vendi duhet të shkojnë në zgjedhje sepse nuk mund të vazhdojmë më gjatë kështu, mirëpo edhe për këtë duhet konstituimi i Kuvendit, marrëveshje për ta bërë këtë dhe pastaj shpërndarja e Kuvendit”, tha Haxhiu.
“Gjykata Kushtetuese është vonuar, duhet ta themi hapur, sepse nuk ka kuptim që një çështje kaq e thjeshtë, tejet e thjeshtë sepse aleanca bashkë me PDK-në e kanë kontestuar votimin e fshehtë, Komisionin për votimin e fshehtë dhe tash çështja është shumë e thjeshtë, ose Gjykata e merr, e bën të pranueshme këtë lëndë dhe e trajton nëse kryesuesi i seancës ka pasur të drejtë për Komisionin për votimin e fshehtë ose ta shpallë të papranueshme pra. Ne po presim vendimin e Gjykatës, por nuk është në rregull që është vonuar kaq shumë. Është e rëndësishme që sa më shpejt ta kemi këtë vendim”, tha Haxhiu para mediave.