Trump diskuton me këshilltarët mundësinë e një sulmi ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një takim urgjent prej një ore e 20 minutash në dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar nëse Shtetet e Bashkuara duhet të bashkohen me Izraelin për të goditur objektivat bërthamore iraniane. Sipas raportimeve të CBS News, mes këshilltarëve më të ngushtë të presidentit nuk ka ende një marrëveshje të plotë për mënyrën se si duhet vepruar, transmeton BBC.

Pas disa ditësh thirrjesh drejtuar Iranit për t’u rikthyer në tryezën e negociatave, Trump po shqyrton seriozisht mundësinë e një përfshirjeje direkte të SHBA në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është diskutuar mundësia e një sulmi ndaj faqeve të pasurimit të uraniumit në Iran, me në fokus kompleksin nëntokësor të Fordo-s – një objektiv që vetëm SHBA zotëron mjetet për ta shkatërruar.

Sipas mediave amerikane dhe izraelite, pas takimit, Presidenti Trump ka zhvilluar një telefonatë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, megjithatë, përmbajtja e bisedës nuk është bërë publike.

Ndërkohë, gjatë tri ditëve të fundit, të paktën 30 avionë cisternë të ushtrisë amerikane – të përdorur për furnizimin me karburant të avionëve luftarakë dhe bombarduesve – janë dërguar drejt Evropës, një lëvizje që analistët e konsiderojnë si përgatitje për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.

Presidenti Trump ka shpërndarë një sërë postimesh në rrjetet sociale, ku i kërkon Iranit “dorëzimin pa kushte”. Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka reaguar gjithashtu përmes mediave sociale duke deklaruar se “Irani nuk do të bëjë kurrë kompromis me sionistët”.

Situata në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar, me rrezikun e një përshkallëzimi të menjëhershëm të konfliktit.